“Në nëntor përfundon projekti teknik i Bulevardit të ri të Tiranës”

Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, flet për projektin e rëndësishëm infrastrukturor
Lulzim Basha deklaroi dje se brenda nëntori përfundon projekti teknik i bulevardit të Tiranës me gjatësi 1.8 km. Kryebashkiaku Basha i pranishëm në ekspozitën e hapur nga Fakulteti i Arkitekturës, Universiteti Politeknik i Barit, “Arkitektura moderne italiane në Tiranë, vazhdimësia e një ideje”, bëri të ditur se puna në bulevard do të nisë shumë shpejt. Sipas tij, ky projekt do të urbanizojë këtë zonë të populluar kohët e fundit dhe do të kthehet në një qendër vërtet tërheqëse për Tiranën dhe gjithë shqiptarët
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha deklaroi dje se brenda nëntorit përfundon projekti teknik i Bulevardit të ri të Tiranës, me gjatësi 1.8 km. Në ekspozitën e hapur nga Fakulteti i Arkitekturës, Universiteti Politeknik i Barit, “Arkitektura moderne italiane në Tiranë, vazhdimësia e një ideje”, Basha bëri të ditur se puna në bulevard do të nisë shumë shpejt.
“Në këtë projekt madhështor ne po ecim me shpejtësi, për të siguruar që jo vetëm të ndërtojmë bulevardin, infrastrukturën publike por të sigurojmë një profil sa më qytetar sa më bashkëkohor, sa më funksional në të dy anët e tij, një zhvillim modern që do i japë vlerë pronës së qytetarëve që banojnë dhe kanë pronat e tyre, që do të urbanizojë këtë zonë të populluar kohët e fundit dhe do të kthehet në një qendër vërtet tërheqëse për Tiranën dhe gjithë shqiptarët që i thonë Tiranës, kryeqendra e tyre”, u shpreh Kryebashkiaku Basha.
Fillimisht, me mbështetjen financiare të BE-së, do të nisë puna për sheshin e Drejtësisë, “ku një kontribut të rëndësishëm, tha Basha, jep dhe Italia. Në këtë kontekst, arkitektura italiane e cila në rrënjët e saj është pa dyshim arkitektura më frymëzuese e kontinentit evropian, ky realitet klasik, neo-klasik dhe modern të cilin e gjejmë sot në të gjithë qendrat e Europës, nga Skocia në Maltë dhe Qipro, nga Shën Petërburgu në Lisbonë na ofrohet edhe njëherë me fondamentin e vet të fortë klasik dhe me profesionalitetin e jashtëzakonshëm të arkitektëve bashkëkohorë italianë, të cilët me që ra fjala ishin edhe pjesë e projektit fitues të studios ‘Grimshaë Architects’, studio londineze por e gjeti të arsyeshme apo të domosdoshme që në gjirin e vet të përfshinte arkitektë italianë dhe specialistë italianë të transportit dhe infrastrukturës. Me këtë studio, ne do të përfundojmë së bashku brenda nëntorit, projektin teknik për të vazhduar sipas idesë origjinale Bulevardin e Tiranës, me një gjatësi më të madhe se sa ajo që shohim sot, gjatësia aktuale është 1.8 km, nga Korpusi i Universitetit deri tek Stacioni i Trenit, ndërsa nga Stacioni i Trenit deri tek Bregu i Lumit të Tiranës,(1.8 km) por natyrisht nuk përfundon aty, vazhdon edhe me 900 metra të tjerë deri në Kodrat e Paskuqanit, ku i bashkohet me një simetri perfekte por frymëzuese Parkut të ri të Paskuqanit, parkut verior të qytetit të Tiranës. Në këtë projekt madhështor ne po ecim me shpejtësi për të siguruar që jo vetëm të ndërtojmë bulevardin, infrastrukturën publike port ë sigurojmë një profil sa më qytetar sa më bashkëkohor, sa më funksional në të dy anët e tij, një zhvillim modern që do i japë vlerë pronës së qytetarëve që banojnë dhe kanë pronat e tyre, që do të urbanizojë këtë zonë të populluar kohët e fundit (dhjetë vjeçarin apo pesëmbëdhjetë vjeçarin e fundit) dhe do të kthehet në një qendër vërtet tërheqëse për Tiranën dhe gjithë shqiptarët që i thonë Tiranës kryeqendra e tyre. Në këtë kuadër, qeveria italiane po jep ndihmesën e saj, edhe në kuadër të BE , për financimin e dhomës së parë të bulevardit, nëpërmjet ndërtimit, siç kemi këtu në sheshin ‘Skënderbej’, të sheshit të ministrive, një sheshi ikonik për Ballkanin (ndoshta edhe për Europën, do të thosha), të një sheshi drejtësie ku do të vendosen komponentët kryesorë të atij që quhet Pallati i Drejtësisë, por që me gjasa do të jetë një komponent i shtrirë horizontalisht në të dy anët e një sheshi të madh e të gjelbëruar në fillim të bulevardit të ri”, tha Basha.
Sipas tij, më pas, puna do të vazhdojë me objekte të tjera të rëndësishme si Holli i Koncerteve, Galeria e Artit Bashkëkohor, një bibliotekë e madhe universitare-bashkiake e shumë e shumë institucione të tjera të rëndësishme social-kulturore si dhe investime private të fuqishme, të tilla si kryeqendra e Bankës “Societe General” apo të tjera objekte të rëndësishme.
“Do të vazhdojmë më tej me objekte të tjera të rëndësishme, Holli i Koncerteve, Galeri e Artit Bashkëkohor, një bibliotekë e madhe universitare-bashkiake e shumë e shumë institucione të tjera të rëndësishme social-kulturore si dhe investime private të fuqishme, të tilla si kryeqendra e Bankës ‘Societe General’ apo të tjera objekte të rëndësishme. Është e qartë se ajo që nisi si ide, sot është një lokomotivë e fuqishme për zhvillimin e qytetit të Tiranës, investimet në qytetin e Tiranës, zhvillimin e ekonomisë, hapjen e mijëra vendeve të punës dhe përfundimin e atij profile evropian që ‘baballarët’ arkitektë të Tiranës moderne evropiane projektuan në fillimin e shekullit të kaluar. Është shumë frymëzuese e shpresëdhënëse, që ndërsa shkundim nga pluhuri këto vepra të arkitekturës, këtu të paktën në gadishullin tonë, ne të shikojmë edhe drejt atyre veprave të cilat në kohezion me historinë tonë që na bën krenarë, na japin edhe një njëqind, dyqind apo treqind vjet të tjera krenarie shqiptare, nëpërmjet projektimit në Shqipëri, të kësaj bote të re, të vetëbesimit dhe gjetjes së vlerave më të mira evropiane që shqiptarët sot afishojnë para njëri tjetrit dhe kontinentit evropian”, tha më tej kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.