E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimi i Bashkisë së Tiranës/“PS ka zgjedhur konfliktin politik, zgjerimi i Rrugës së Elbasanit do lehtësojë trafikun”

16-06-2012 / Gazeta 55

Bashkia e Tiranës reagoi dje ndaj akuzave të Partisë Socialiste lidhur me zgjerimin e segmentit nga fakulteti Ekonomik deri tek rreth - rrotullimi i Saukut.
Ne deklaratën për shtyp të bashkisë, thuhet se akuzat e PS janë konfliktuale, të pavërteta dhe abuzuese. Ndërsa thekson se, zgjerimi i rrugës së Elbasanit do të lehtësojë ndjeshëm trafikun, do të ulë koston e lëvizshmërisë, do të ndikojë në reduktimin e ndotjes. “Shprehim keqardhjen që përpara interesit qytetar, PS ka zgjedhur konfliktin politik, të pavërtetat dhe abuzimin. Zgjerimi i rrugës së Elbasanit është një prioritet për qytetin tonë, i cili vazhdon të vuajë pasojat e zhvillimit të paplanifikuar. Zgjerimi i  rrugës së Elbasanit do të lehtësojë ndjeshëm trafikun, do të ulë koston e lëvizshmërisë, do të ndikojë në reduktimin e ndotjes, do të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve të Tiranës, do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë  së qytetit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Këto janë interesat e qytetarëve të Tiranës”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës.
Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka nisur punën për zgjerimin e kësaj rruge, një arterie e rëndësishme kombëtare.  Kjo rrugë, nga Fakulteti Ekonomik deri tek rreth - rrotullimi i Saukut, me gjatësi 1.7 km do të jetë me 6 korsi 2 x 8 m, me trafikndarëse prej 1.5 m, ku është parashikuar dhe gjelbërim, si dhe me trotuarë në të dy anët e rrugës.
“Gjithçka është bërë në përputhje me ligjin dhe interesat e qytetarëve. I bëjmë thirrje PS, të ndalë frymën e konfliktit politik dhe të orientohet drejt interesit të qytetarëve të Tiranës  dhe mbarë shqiptarëve që përdorin infrastrukturën e kryeqytetit”, vijon më tej reagimi i bashkisë së Tiranës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›