Reforma Zgjedhore, flasin ekspertët: “KQZ të mos hapë kutitë, ankimimet vetëm në gjykata”
Ekspertët e çështjeve zgjedhore e shohin zgjidhjen e problemit të ankimimeve dhe rinumërimin e votave tek kolegji zgjedhor, duke përjashtuar kategorikisht KQZ-në nga ky proces. Çlirim Gjata thotë se nuk duhet të jetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ai që të vendosë për ankimimet dhe rihapjen e kutive, por gjykata.
“Të ndryshohet sistemi i konceptit të punës në këtë institucion. Nga një institucion që i pranon ankimet dhe gjithë kjo është Thembra e Akilit, të kthehet në një institucion administrativ i cili merret vetëm me përgatitjen e bazës materiale, shpërndarjen e saj, përgatit zgjedhjet e kaq. Gjithçka tjetër të kalojë në Gjykatë. Edhe rezultati kur ankimohet, dhe pavlefshmëria, nga KZAZ të ankohet direkt te gjykata i cili kërkon pastaj një sistem të ri të administrimit gjyqësor për zgjedhjet”, u shpreh ish kreu i KQZ-sw, Çlirim Gjata.
Por, si mund t’i administrojë një kolegj zgjedhor i vetëm problemet elektorale nëse partitë kërkojnë rinumërim të kutive në të gjithë qarqet e vendit?
Gjata thotë se krijimi i 6 kolegjeve të tilla do të bëjë të mundur shqyrtimin e çështjeve dhe nxjerrjen e fituesit të zgjedhjeve në kohë reale.
“Nëse shkoni në gjykatë mbaron shpejt, por një sistem i ri i administrimit gjyqësor, për çështjet zgjedhore, jo ky që është me një kolegj. Mund të ndahet të bëhet me gjashtë kolegje. Një kolegj për dy qarqe për shembull. Ky siç është por me disa gjykata”, thotë Gjata.