Qeveria, më shumë kompetenca në territorin e bashkive
Këshilli i Ministrave miratoi dje nëpërmjet një projektligji kompetenca shtesë për Këshillin Kombëtar të Territorit, duke i përafruar të drejtat e këtij këshilli me ato të këshillave bashkiakë. Kështu, në mbledhjen e ardhshme të qeverisë së këtij këshilli, i cili ka varësi të drejtpërdrejtë nga Kryeministri, i shtohen edhe funksionet e miratimit të kërkesave për zhvillim dhe lejet e ndërtimit në zonat kombëtare, tokat shtetërore dhe oborret e institucioneve publike arsimore të të gjitha niveleve, të zonave universitare, spitaleve dhe kopshteve e çerdheve. Nga ana tjetër, me ndryshimet e reja në këtë ligj, KKT-së i janë shtuar edhe kompetencat për miratimin e planeve zhvillimore dhe rregulluese të bashkive kryesore në vend. “Këshilli Kombëtar i Territorit është autoriteti përgjegjës që ka kompetencë ekskluzive shqyrtimin përfundimtar të planeve zhvillimore (rregulluese/të planifikimit) të bashkive të kategorisë së parë, në territorin e vendit dhe miratimin e tyre”, theksohet në draftin e ri, i cili dje mori miratimin e Këshillit të Ministrave. Po kështu, në këto shtesa theksohet se KKT e ushtron këtë përgjegjësi dhe në territore administrative të tjera, ku parashikohet zhvillimi i porteve të hapura ndërkombëtare, i centraleve energjetike, digave dhe dambave të larta, si dhe ndërtimeve të tjera me interesa strategjike për vendin. Më pas, ndryshimet në ligj japin edhe një listë të bashkive të kategorisë së parë, në të cilat ky këshill ka të drejtën e vendosjes. “Në kuptim të këtij neni, bashki të kategorisë së parë janë Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Fieri, Vlora, Saranda, Gjirokastra, Berati, Pogradeci, Korça, Lezha, Lushnja, Kukësi, Peshkopia, Laçi dhe Kavaja”, specifikon amendimi i kaluar dje nga ministrat. Po kështu, ndryshimet e reja në këtë ligj kanë vendosur edhe një dispozitë kalimtare, sipas së cilës brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, bashkitë e kategorisë së parë depozitojnë për shqyrtim planet zhvillimore rregulluese, kur planet nuk i janë nënshtruar shqyrtimit dhe miratimit nga KRRTRSH-ja.
#