E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli merr pjesë në ceremoninë e organizuar nga Mbretëresha e Britanisë së Madhe



Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka qenë dje e ftuar e veçantë në njërën prej ceremonive më madhështore të jetës parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, në seancën e jashtëzakonshme të fjalimit të Mbretëreshës Elisabeta II, ritual që daton që në shek. XVI. Kryetarja e Kuvendit, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Londër, nisi axhendën e saj me pjesëmarrjen në këtë ceremoni simbol të Mbretërisë së Bashkuar, të rezervuar vetëm për të ftuar të përzgjedhur të hierarkisë më të lartë dhe krerë të institucioneve kryesore britanike. Në ditën më të rëndësishme të hapjes së sesionit të ri parlamentar, Mbretëresha Elisabeta II prezantoi programin e Qeverisë, politikat e reja dhe prioritetet për legjislacionin në sesionin e ri. Më pas, kryetarja e Kuvendit mori pjesë në debatin mbi fjalimin e Mbretëreshës të zhvilluar në Parlamentin britanik, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Dhomës së Komunëve dhe Dhomës së Lordëve. Gjatë vizitës së saj në Londër, kryetarja e Kuvendit u prit në një takim të veçantë nga nënkryetarja Silvia Hill. Topalli gjithashtu pritet të takohet me kryetarin e Dhomës së Komunëve, Majkëll Martin dhe do të zhvillojë një seancë dëgjimore në Komisionin e Politikave të Jashtme me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të Grupit Parlamentar të Miqësisë, Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri. Tema të bisedës do të jenë ratifikimi i protokollit të NATO-s, hapat dhe reformat e ndërmarra nga Shqipëria në rrugën e integrimit euro-atlantik, por edhe çështja e Kosovës.

4 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›