Hapi punimet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka hapur sesionin e 67-të vjetor, derisa presidenti i ri, Vuk Jeremic, ka thënë se Kombet e Bashkuara nuk mund t’i zgjidhin të gjitha problemet e botës brenda natës.
Megjithatë, ish-krye-diplomati i Serbisë ka shprehur bindjen se organizata mbetet e rëndësishme në “adresimin e nevojave në rritje të njerëzimit”.
Ai tha se do të kërkojë mjete paqësore për të zgjidhur kontestet ndërkombëtare.
Asambleja e Përgjithshme 193 anëtarëshe në pjesën tjetër të javës do të përgatitet për debatin e përgjithshëm që fillon më 25 shtator, ku do të ketë fjalime nga presidentë dhe kryeministra shtetesh të ndryshme.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, i kërkoi Asamblesë, e cila vepron
si një legjislativ për organizatën botërore, që të punojë për të ruajtur sundimin e ligjit, si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar.