Kompensimi i pronarëve me çmimin e tregut - qeveria parashikon amendim të ligjit të 1994-s

Qeveria miraton projektligjin
Këshilli i Ministrave miratoi dje projektligjin për caktimin e fondit të kompensimit të pronave. Kryeministri Sali Berisha, duke prezantuar projektligjin para kabinetit qeveritar, tha se ai ridimensionon burimet e qeverisë për të kompensuar pronarët shqiptarë. Berisha bëri me dije se forma e kompensimit do të jetë ajo me vlerën e tregut.
“Në përputhje me Kushtetutën e vendit, por edhe parimet programatike të qëndrimeve tona ndaj çështjes së pronës, kemi përzgjedhur formën më të ndershme, më të kushtueshme dhe më të vështirë të kompensimit, që është ajo me vlerën e tregut. Kjo është një faturë shumë e madhe, e cila ka dinamizmin e saj nga viti në vit, sepse i tillë është dinamizmi i vlerës së tregut,” u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë e konsideroi këtë hap një detyrim kushtetues dhe moral të mazhorancës ndaj pronarëve, të cilëve në mënyrën më të padrejtë e më klasore u shpronësuan.
“Me këtë ligj, hapen shtigje dhe mundësi të reja për fondin e kompensimit të pronarëve, qoftë fizik apo qoftë monetar, u shpreh kryeministri”, u shpreh Berisha.
Për krijimin e fondit monetar të kompensimit, Berisha bëri të ditur se do të përdoren edhe të ardhurat nga privatizimet dhe ankandet e aseteve shtetërore. Në funksion të krijimit të këtij fondi, kryeministri kërkoi mendimin e ligjit të vitit 1994, që i ndalon qeverisë të shesë toka publike.
“Në një mbledhje të shkuar ju njoha me qendrën e Tiranës. Ligji i vitit 1994 ia ndalon qeverisë të shesë toka, por ky ligj e ndalon për shkak të kompensimit të pronarëve. Pra, ligji është në funksion pikërisht të procesit të kompensimit të pronarëve, çka do të thotë që me një amendim të lehtë të tij, për ta qartësuar, Këshilli i Ministrave duhet të autorizohet të përdorë trojet në mënyrën më eficente për kompensimin e pronarëve. P.sh për qendrën e Tiranës. Ankandi duhet të jetë për metër katror ndërtimi, sepse kështu arrihet vlera më maksimale, natyrisht në përputhje me urbanistikën e qytetit. E ftoj zotin Rama që del në konferencë shtypi dhe që, pasi e ka mbajtur një vit planin, ta sjellë sa më shpejt në Sekretarinë Teknike dhe do t’ia miratojmë, në mënyrë që të mos krijojmë alibia të kota. Pasi e mbajti planin e rregullimit një vit e gjysmë, e miratoi para dy javësh, tani del e thotë po e bllokon KRRTRSH-ja. Në përputhje me planin urbanistik, ne duhet të gjejmë mënyrën e fitimit maksimal dhe kjo e tëra do të shkojë në fondin e kompensimit të pronarëve. Por si ky rast mund të ketë edhe raste të tjera analoge, për të cilat qeveria duhet të autorizohet me ligj, të procedojë. Krahas këtyre fondeve, të ardhurat e ankandeve të pronave të tjera, sipërmarrjeve, vlerave apo aseteve shtetërore, ky ligj i adreson gjithashtu në fondin monetar të kompensimit të pronarëve”, nënvizoi kryeministri.
Shefi i ekzekutivit vlerësoi një veprim shumë të drejtë, që krahas ligjit, sipas të cilit 20 për qind e privatizimeve do të shkojë për kompensimin e pronarëve, miratohet ky projektligj.