Prezantohet Strategjia e Zhvillimit të Peshkimit dhe Akuakulturës, për shndërrimin e industrisë së peshkimit në një nga sektorët kryesorë në vend
Industria e peshkimit do të ketë një strategji të re, e cila synon shndërrimin e saj në një nga sektorët e rëndësishëm të vendit. Gjatë një takimi me ekspertë dhe përfaqësues të shoqatave të peshkimit, ku u prezantua Strategjia e Zhvillimit të Peshkimit dhe Akuakulturës 2007-2015, Kryeministrit Berisha tha se qeveria është plotësisht e angazhuar për zhvillimin e shpejtë të sektorit të peshkimit dhe shndërrimin e kësaj industrie në një nga industritë kryesore të vendit.
Duke falënderuar ekspertët dhe drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave për punën e bërë, Kryeministri bëri të ditur se krahas masave që do të ndërmerren për rimëkëmbjen e këtij sektori dhe modernizimin e flotës së peshkimit, do të ruhet në mënyrë të arsyeshme edhe mbështetja për peshkatarët. "Ne nuk heqim dorë nga subvencioni, por nuk e zgjidh subvencioni çështjen e peshkimit. Është vendimtare të modernizohet flota peshkimit. Për vlerësimin e kësaj pasurie të pamasë që kemi, është përcaktuese për të ardhmen të investojmë në mënyrë që peshkatarët shqiptarë të dalin në det në kushte të përafërta me atë të fqinjëve tanë," u shpreh Kryeministri.
Kryeministri e konsideroi arritje të rëndësishme që peshkatarët shqiptarë sot mund të eksportojnë në të gjithë Europën. Sikundër, theksoi z. Berisha, duhet të punohet në drejtim të certifikimit dhe hapjen e tregut për midhjet, për të cilat Shqipëria duhet të jetë një prodhues i rëndësishëm.
Me masat e parashikuara, strategjia synon shtimin e prodhimit të peshkimit mbi 50 mijë ton peshk në vit dhe 5 mijë tonë midhje; rritjen e të ardhurave nga 31 milion dollarë aktualisht në 150 milion euro në vit; rritjen e konsumit të peshkut nga 3.3 kilogram në 15 kilogram për frymë dhe rritjen punësimit në këtë sektor deri në 10 mijë punonjës. Për arritjen e këtyre objektivave, në strategji propozohen masa për shtimin, ristrukturimin dhe modernizimin e flotës së peshkimit nga 250 anije aktualisht në 500 anije, ristrukturimin e infrastrukturës portale, zhvillimin e akuakulturës si një sektor i rëndësishëm për ekonominë, mbështetjen e industrisë përpunuese dhe marketingut të produkteve të peshkimit.