Revista prestigjioze "The Economist": Shqipëria ka kapacitete të larta të përthithjes së të ardhurave nga turizmi
Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, theksoi vlerësimin e bërë nga revista prestigjioze e biznesit "The Economist", sipas të cilës Shqipëria është në krye të vendeve që realizon më shumë të ardhura për frymë nga turizmi. Kryeministri u shpreh se ky është një zhvillim shumë pozitiv dhe se biznesi po ndihmon dukshëm në dimensionin kulturor, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin.
Kryeministri theksoi se Shqipëria po bëhet çdo ditë e më shumë tërheqëse për turizmin ndërkombëtar dhe për investimet e huaja. Ky vlerësim është jashtëzakonisht shpresëdhënës, vijoi ai. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit, një organizatë e Kombeve të Bashkuara, Shqipëria merr për çdo turist 17.500 dollarë. Kjo faturë kaq e mëkëmbur i detyrohet interesit shumë të madh të biznesit për Shqipërinë. Sipas studimit te Organizatës Botërore të Turizmit, të ardhurat për turist në Shqipëri janë më të larta, në distancë, se në Luksemburg, në Suedi dhe në Zelandë të Re, Japoni, SHBA, Kuvajt etj. Kjo për shkak të një fluksi shumë të madh të ekipeve të biznesit.
Kryeministri theksoi se një tjetër tregues pozitiv në këtë aspekt është edhe fakti që krediti në Shqipëri 70 për qind shkon drejt biznesit. Për vendin ka një rëndësi të jashtëzakonshme që ky kredit që rritet me shpejtësi çdo ditë shkon në tërësi për biznesin, tha Kryeministri.
Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:
"Kam një lajm shumë pozitiv sot. "The Economist" rreshton Shqipërinë në krye të vendeve që realizon më shumë të ardhura nga turizmi, sigurisht duke i proporcionuar për frymë dhe për vendin. Kjo tabelë është jashtëzakonisht shpresëdhënëse. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit, një organizatë e Kombeve të Bashkuara, Shqipëria merr për çdo turist 17.500 dollarë. Një gjë është e vërtetë, kjo faturë kaq e mëkëmbur i detyrohet interesit shumë të madh të biznesit për Shqipërinë.
Pra, Shqipëria nuk ka numrin më të madh të turistëve, sigurisht, por në Shqipëri vjen një numër shumë i madh biznesmenësh, të cilët shpenzojnë më shumë, janë turistë të mëkëmbur. Ata që vijnë janë kryesisht grupet e mëdha të biznesit. Në këtë kontekst, të ardhurat për turist në Shqipëri janë më të larta në distancë se në Luksemburg, në Suedi dhe në Zelandë të Re, Japoni, SHBA, Kuvajt etj. Kjo për shkak të një fluksi shumë të madh të ekipeve të biznesit.
Në këtë mënyrë, dimensioni kulturor është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe po ndihmohet dhe nga biznesi. Ky është një zhvillim shumë pozitiv. Dy janë treguesit ndër më pozitiv në këtë aspekt; krediti në Shqipëri 70 për qind që shkon drejt biznesit. Sërish, bëra ndërhyrje për ta kufizuar për arsye të njohura atë, por për vendin ka një rëndësi të jashtëzakonshme fakti që ky kredit që rritet me shpejtësi i shkon në tërësi, pra 70 %, biznesit. Ky është raport shumë i rrallë për vendet të tjera, është një tregues shumë pozitiv, indirekt, sepse që të marrë Shqipëria turistët më të kushtueshëm, apo mesatar, kjo ka të bëjë me ekipe të gjera biznesi që vijnë në vend".