E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Jemi të vendosur të përmbushim në kohë e me përgjegjësi të gjitha detyrimet për integrimin në BE

- Vlerësimet për zbatimin e marrëveshjes Ad-Interim janë qartësisht pozitive

Kryeministri Berisha tha sot në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Integrimin Europian, se qeveria shqiptare është e vendosur të ndërmarrë të gjitha masat, vendimet e ligjet, për përmbushjen në kohë dhe me përgjegjësi të detyrimeve që rrjedhin nga procesi i Stabilizim – Asociimit.

Kryeministri u shpreh se "vlerësimet për zbatimin e Marrëveshjes së Ndërmjetme (Ad-Interim) janë qartësisht pozitive, me nota më pozitive nga sa janë parashikuar, ashtu siç shprehet vet Komisioneri për Zgjerimin Olli Rehn, që thotë se Shqipëria po tejkalon parashikimet në zbatimin me përgjegjësi të MSA-së".

Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Integrimin Europian u diskutuan çështje thelbësore për procesin e integrimit si, niveli e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit për vitin 2006, si dhe rishikimin e planit kombëtar të MSA-së për 2007-ën. Po ashtu, u diskutuan çështje të lidhura me raportin vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë, në kuadër të procesit të Stabilizim - Asociimit të vitit 2007.

Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:

"Kjo mbledhje e Komitetit Ndërministror për Integrimin në Bashkimin Europian do të diskutojë çështje thelbësore për procesin e integrimit. Para së gjithash, do të diskutojë nivelin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit, si dhe rishikimin e planit kombëtar të MSA-së. Së dyti, do të diskutohen çështje të lidhura me raportin vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë, në kuadër të procesit të Stabilizim - Asociimit të vitit 2007.

Për qeverinë, për vendin, për shtetin, integrimi në Bashkimin Europian dhe NATO mbeten projektet më madhore të këtij shekulli. Në këtë kontekst, ne e kemi deklaruar dhe e deklarojmë se jemi të vendosur të ndërmarrim të gjitha vendimet, masat, ligjet, në mënyrë që të përmbushim në kohë dhe me përgjegjësi detyrimet që rrjedhin nga procesi i Stabilizim- Asociimit, i cili në tërësi kërkon së pari një përafrim të të gjithë legjislacionit, praktikave dhe vendimeve të vendit me normat dhe direktivat evropiane. Së dyti, kërkon një nivel të ri performance, i domosdoshëm për të dëshmuar se vendi është i përshtatshëm për integrim evropian dhe euroatlantik.

Ka kaluar mbi një vit nga firmosja e marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit dhe afërsisht një vit nga firmosja e marrëveshjes Ad- Interim. Vlerësimet për zbatimin e marrëveshjes Ad-Interim janë qartësisht pozitive, me nota më pozitive nga sa janë parashikuar, ashtu siç shprehet vet Komisioneri për Zgjerimin Olli Rehn, që thotë se Shqipëria po tejkalon parashikimet na zbatimin me përgjegjësi të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Po kështu, gjykoj se me ritme të shpejta po ecën edhe procesi i ratifikimit të MSA-së nga parlamentet e vendeve anëtare, proces i cili duhet të kompletohet sa më shpejtë të jetë e mundur. Me këtë rast unë dua të falënderoj Komisionerin Rehn për ftesën që u ka bërë qeverive dhe parlamenteve të vendeve anëtare, të ratifikojnë me përparësi, apo të përshpejtojnë ratifikimin e MSA-së me Shqipërinë.

Vlerësime pozitive erdhën edhe me rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, nga Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian, i cili vlerësoi si zgjedhjen e Presidentit, ashtu edhe reformat, si dhe qëndrimin e Shqipërisë ndaj problemeve rajonale.

Megjithatë, duhet të themi se procesi i integrimit ka një specifikë. Objektivi arrihet duke rritur performancën, seriozitetin, bashkërendimin gjithnjë e më shumë. Sa më shumë t'i afrohemi objektivit, aq më të mëdha bëhen kërkesat, detyrimet që rrjedhin ndaj nesh. Është e domosdoshme që kryefjala në mbledhjet e qeverisë të jenë çështjet e integrimit. Ministrja e Integrimit, së bashku me Kryeministrin, duhet të bashkërendojnë të gjithë axhendën e qeverisë, në mënyrë që të parat dhe më të rëndësishmet në çdo mbledhje të jenë problemet e integrimit të vendit në BE. Duhet që materialet e përgatitura nga ministritë dhe që i dërgohen ministrisë së integrimit, të kenë përgjegjësi të madhe, qartësi të plotë dhe vërtetësi. Ne nuk mund të lustrojmë asgjë, ne duhet të shprehim realitetin siç e kemi dhe angazhimin tonë për ta ndryshuar atë. Përpjekjet për të lustruar janë përpjekje të dënueshme, të papranueshme. Ndaj le të punojmë me përkushtim për të përmbushur detyrimet tona sipas linjave të punës që kemi dhe kjo është lustra më e mirë që ne mund t'i bëjmë zbatimit të marrëveshjes dhe plotësimit të rekomandimeve.

Në mënyrë të veçantë, duhet të shpejtojmë përshtatjen e ligjeve dhe të projektligjeve, që do të thotë që ministria e Integrimit duhet t'i shqyrtojë ato në sensin e përputhjes me direktivën, të zhvillojë të gjitha kapacitetet e nevojshme. Sepse edhe kjo ministri nuk duhet të shkojë sipas konceptit të shtimit të personelit, nuk është kjo zgjidhja. Problemet kjo ministri i zgjidh duke u përshtatur me kërkesat e reja, se nuk mund të pretendojmë se kërkesat kanë qenë të njëjta si 3 vjet para nënshkrimit të MSA-së, edhe 2 vjet pas nënshkrimit të saj. Ndaj dhe vet ministria është e nevojshme të riformësohet në përputhje me stadin aktual, duke mos shtuar personel, por duke u përshtatur me kërkesat ekzistuese".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›