Qeveria miraton marrëveshjen për lehtësimin e regjimit të vizave ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme, në parim, marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Europian për lehtësimin e lëshimit të vizave.
Kryeministri Berisha vlerësoi se kjo marrëveshje i jep realisht Shqipërisë një liberalizim shumë më të madh, në raport me statusin në të cilin ajo ndodhet. Kategoritë që përfitojnë nga kjo marrëveshje janë rinia, institucionet zyrtare dhe ato të shoqërisë civile, bizneset, turistët dhe qytetarët me anë të bashkimeve familjare.
Kryeministri Berisha nënvizoi se nga kjo marrëveshje përfitojnë të gjithë ata që lëvizin jashtë vendit, sepse reduktohen taksat.
Sipas Kryeministrit Berisha, masat që po merr qeveria shqiptare me kontrollin e integruar të kufijve, modernizimin e pikave të kalimit kufitar, rritjen e shkallës së sigurisë në vend, reformat e ndryshme dhe zhbllokimin e disa reformave shumë të rëndësishme, përbëjnë zbatimin e kësaj marrëveshje plotësisht të mundshme dhe avancimin e saj progresiv.
Marrëveshja është negociuar dhe firmosur në Bruksel nga ish ministri i Brendshëm, z.Sokol Olldashi dhe më pas është ndjekur nga ministria e Brendshme dhe ministria e Punëve të Jashtme.
Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:
"Sot ne miratojmë një ndër marrëveshjet më të rëndësishme, që kjo qeveri dhe qeveritë pararendëse kanë miratuar ndonjëherë. Ne miratojmë në parim marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Europian për lehtësimin e regjimit të vizave. Marrëveshja është negociuar dhe firmosur nga zoti Olldashi në Bruksel dhe pastaj është ndjekur nga ministria e Brendshme dhe ministria e Jashtme.
Kjo është një marrëveshje që realisht i jep Shqipërisë një liberalizim shumë më të madh në raport me statusin në të cilin ajo ndodhet.
Pra, ka patur një gjenerozitet të madh në kategoritë dhe dimensionet e lehtësimit.
Në radhë të pare, lehtësime të mëdha pëson rinia shqiptare, që ajo të lëvizë më lirshëm, për të njohur hapësirën e Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare. Përfitojnë institucionet zyrtare, por dhe ato të shoqërisë civile. Përfitojnë bizneset, si dhe ata që lëvizin për qëllime biznesi. Përfitojnë turistët, përfitojnë familjarët me bashkimin e tyre. Pra, përfitojnë të gjithë ata që lëvizin, sepse reduktohen taksat, përgjysmohen taksat. Faktikisht, kjo përbën një hap shumë të madh drejt realizmit të lëvizjes së lirë të plotë të vendit.
Mendoj se masat që po merr qeveria me kontrollin e integruar të kufijve, modernizimin e pikave të kalimit, rritjen e shkallës së sigurisë, reformat, zhbllokimin e disa reformave shumë të rëndësishme, e bëjnë zbatimin e kësaj marrëveshje plotësisht të mundshme dhe sjellin avancimin e saj progresiv".