E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton legalizimin e shtëpisë së Ylli Pangos

19/03/2009  Lista e 1200 ndërtimeve të paligjshme në Tiranë, Berat, Gjirokastër, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier e Vlorë

Qeveria ka miratuar dje legalizimin e rreth 1200 objekteve informale, duke i dhënë kështu një tjetër shtysë regjistrimit të tyre në hipotekë. Vendimi i marrë dje vjen paralel me ndarjen e lejeve për legalizim që kanë nisur të jepen prej ALUIZNI-t. Ndërkohë mësohet se dhe në hipoteka ka nisur puna për regjistrimin e ndërtimeve të paligjshme. Në listën e miratuar dje ishte dhe ndërtesa e ish-ministrit të kulturës Ylli Pango, i cili është banor i njësisë bashkiake nr. 2. Edhe pse javët që shkuan kanë qenë tejet të vështira për ministrin Pango, duket se vendimi i marrë dje prej qeverisë do t’i sjellë një element pozitiv. Ndërsa dhe skandali i publikuar në medie duket se nuk do të ndihet më, për vetë faktin se Prokuroria nuk do të hapë hetimet, pasi vajzat, që janë punonjëse të “Fiks Fare”, nuk kanë bërë denoncim për dhunë seksuale.

Gjithsesi, për sa i përket procedurës së legalizimit të ndërtimeve të paligjshme bëhet e ditur se ka nisur puna dhe për përcaktimin e formës së dëmshpërblimit të pronarëve të tokës mbi të cilat janë ndërtimet e paligjshme që do të legalizohen.

V E N D O S I:

1. Miratimin e kalimit në pronësi të poseduesve të objekteve informale, të sipërfaqeve të parcelave ndërtimore të zëna, sipas listës dhe planvendosjeve përkatëse, që i bashkëlidhen këtij vendimi, në:

- Qarkun e Tiranës, 402 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 121 839,90 (njëqind e njëzet e një mijë e tetëqind e tridhjetë e nëntë presje nëntëdhjetë) m2.

- Qarkun e Beratit, 24 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 8 354,70 (tetë mijë e treqind e pesëdhjetë e katër presje shtatëdhjetë) m2.

- Qarkun e Dibrës, 69 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 30 580,00 (tridhjetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë) m2.

- Qarkun e Gjirokastrës, 21 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 4 425,40 (katër mijë e katërqind e njëzet e pesë presje dyzet) m2.

- Qarkun e Durrësit, 340 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 132 569,26 (njëqind e tridhjetë e dy mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e nëntë presje njëzet e gjashtë) m2.

- Qarkun e Elbasanit, 85 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 28 054,94 (njëzet e tetë mijë e pesëdhjetë e katër presje nëntëdhjetë e katër) m2.

- Qarkun e Fierit, 13 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 3 641,55 (tre mijë e gjashtëqind e dyzet e një presje pesëdhjetë e pesë) m2.

• Qarkun e Vlorës, 153 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 61 937,50 (gjashtëdhjetë e një mijë e nëntëqind e tridhjetë e shtatë presje pesëdhjetë) m2 .

2. Ngarkohet Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për kryerjen e procedurave të kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti te poseduesi i ndërtimit pa leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›