Vepra e plotë e Vilson Blloshmit
19/03/2009 Botohen për herë të parë me rastin e 61-vjetorit poezi, pjesë nga krijimtaria, përkthime dhe letërkëmbime të Blloshmit të nxjerra nga arkivi i Sigurimit të Shtetit
Donte poezinë dhe në hije kishte lexuar e përkthyer veprat e shkrimtarëve dhe poetëve më të njohur të kohës. Më së shumti ndihej i lidhur pas letërsisë franceze...
Nuk pati fatin të ishte për asnjë ditë mësues, edhe pse kishte mbaruar studimet për këtë. Për vite të tëra u përndoq, u internua dhe u burgos derisa në një moshë fare të re e dënuan me vdekje... Nëse sot do të ishte gjallë, Vilson Blloshmi do të festonte 61-vjetorin.
Pendesa shumë pak vlerë mund të ketë, porse ajo që vjen natyrshëm si domosdoshmëri është takimi me veprën e këtij poeti dhe letrari të talentuar. Me sa duket, kjo ndjesi ishte një shtysë edhe për autorin Sadik Bejko, që me ndihmën e punën e vëllait të Vilsonit, Bedri Blloshmit, botojnë për herë të parë në këtë ditëlindje të poetit veprën e plotë të tij.
“Ne nuk kemi dashur të fajësojmë dhe të akuzojmë njerëz. Fajtorët, kudo qofshin, mbase një ditë do të harrohen. Ajo që do të mbetet është vepra e Vilson Blloshmit. Ajo është një vepër shumë e rëndësishme, që duhet t’i kthehet kulturës shqiptare”, - vlerëson Bejko, i cili vjen me këtë libër pas botimit të veprës së parë kushtuar Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës, “Vilsoni dhe Genci”.
Për të ardhur te ky botim me rreth 400 faqe në dy vëllime i veprës së plotë të Vilson Blloshmit, është dashur një punë e gjatë kërkimore në arkiva, punë që ka zgjatur mbi dhjetë vjet. “Përkushtimi i vëllait të poetit, Bedri Blloshmi, në kërkimet, gjetjet është në themel të kësaj pune kërkimore.
Këto dy vëllime përmbajnë krijimtarinë e Blloshmit, që më 17 korrik 1977 u pushkatua nga shteti diktatorial. Promovimi i kësaj vepre përkon me ditëlindjen e tij, që ai nuk do ta festonte kurrë”, - vijoi Bejko, duke e cilësuar këtë botim në dy vëllime një ngjarje për kulturën dhe letërsinë shqiptare.
“Po botohet një vepër e plotë krejtësisht postume. Edhe Serembja, edhe Migjeni, dy poetë që u bënë të famshëm pas vdekjes, në të gjallë të tyre kishin arritur të botonin diçka nga vepra e tyre, kishin marrë edhe vlerësime të bashkëkohësve”, - vëren autori. Vilson Blloshmi në gjallje të tij nuk pa asnjë rresht të botuar nga vepra e vet. Ai krijoi i izoluar dhe larg rretheve letrare. Punoi si kafshar në fshat, si druvar në sharra, si minator dhe gjithë sa shkroi e përktheu e mbante në fshehtësi të plotë. Regjimi komunist e kishte përjashtuar nga e drejta për t’u marrë me punë intelektuale, për të punuar si mësues, për t’u marrë me letërsi për shkak të biografisë familjare: familja e tij që më 1945 ishte shpallur zyrtarisht armike e shtetit shqiptar.
Bejko nuk dyzohet kur e cilëson Blloshmin një rast unikal në historinë e letërsisë shqipe, po mbase edhe më gjerë, në historinë e gjithë Lindjes komuniste. Për të ky mund të jetë botim unikal, pasi gjithçka që është botuar është nxjerrë nga arkivat e policisë sekrete, nga arkivi i policisë dhe i Sigurimit të Shtetit komunist. “Kjo krijimtari katër muaj para se poeti të arrestohej u sekuestrua nga sëndukët e shtëpisë së tij në fshatin Bërzeshtë, u përpunua në zyrat e Sigurimit, u përdor si akuzë në gjyq kundër tij dhe pas pushkatimit të autorit e deri më sot u varros në arkiva.”
Ky botim sjell para lexuesit dhe studiuesit një autor të talentuar. “Në këtë kuptim nuk jemi ne që i bëjmë nder atij, përkundrazi, ai na bën nder të gjithëve, se edhe duke qenë një i përjashtuar nga jeta shoqërore e kohës deri dhe i martirizuar prej saj ka pasur përkushtim, talent e një pasion të lindur për të shkruar poezi, për të përkthyer disa nga poetët e mëdhenj të letërsisë botërore. Ai i është kundërvënë ndalimit, përjashtimit, duke u vetëshprehur në heshtjen e shenjtë të eremitit të shpellave.” Bejko vlerëson se poezia e tij estetikisht është katërçipërisht e kundërt me parimet estetike të kohës. “Është një poezi meditative, që jep kënaqësi estetike për vërtetësinë dhe thellësinë e saj, një dëshmi letrare e një njeriu të nëpërkëmbur padrejtësisht nga një e keqe që nuk është vetëm e tij.”
Me zbulimet e poezive të reja prej tij, me përkthimet nga poemat e Viktor Hygoit, e një novele të Volterit, me fragmentet nga esetë e E. A. Poes, nga Viktor Hygo, nga Pol Klodel etj., ai ridimensionohet në regjistra të tjerë. Veçse ka qenë i mahnitur nga kultura frënge, me leximet e shumë filozofëve e poetëve, me shënimet e krijimtarisë së këtyre mendimtarëve e poetëve në ditarët e tij na dëshmon se pa lexim dhe meditim nuk do të kishte formuar atë karakter aq të pashoq. “Ai diti ta sfidojë edhe estetikisht, edhe me ide kohën, nuk e shiti artin dhe veten e tij kur u ndodh nën torturat e policisë së kohës.”
Flet vëllai
Bedri Blloshmi: Do të gjej gjithë dorëshkrimet e Vilit
Nuk e dinte që Vili, siç e thërriste vëllanë, ishte arrestuar. Ai vetë ishte arrestuar më parë dhe e kuptoi fare rastësisht, atëherë kur të dy ishin në të njëjtin burg, që Vilsonin e kishin dënuar “për poezitë dhe librat”.
Në birucën nr. 20, aty te burgu në rrugën “Mine Peza” në Tiranë, Bedri Blloshmi, i sjellë në këtë burg tre muaj më parë, pa rastësisht brenda asaj qelie të izoluar. Ishte një raft me pak ushqime, saktësisht të njëjtat që i kishin sjellë dhe atij: një copë djathë, pak bukë, pesë kremviçe dhe një çikë sheqer! Atëherë dyshoi se kjo nuk mund të ishte koincidencë. Dyshimin ia vërtetoi zëri i vëllait, që në një prej atyre ditëve gjeti rastin kur polici-rojë ishte në banjë (e kuptuan nga zhurma e rubinetit të çezmës) dhe i foli: “Dyshi (Bedriu kujton se kishte birucën nr. 2), atë qëndrim që ke mbaje!” – “Kush je ti?” - e pyeta. – “Vili, mua më kanë arrestuar për poezitë dhe librat!”
Atëherë kujton se polici i thirri veç e veç, porse ai, Bedriu nuk e pranoi se kishte parë të vëllanë. Fatkeqësisht që prej asaj dite as nuk i pa më Vilsonin dhe Genc Lekën. “Me vëllanë nuk jam takuar asnjëherë gjatë kësaj kohe. Unë mbaj mend se, kur u dënuam unë, Genci dhe Vilsoni, u dënuam bashkë. Policët rrinin te koka e Gencit dhe kërkonin të kuptonin çfarë domethënie kishin shkrimet e tij. Që atëherë thashë se, nëse do të dilja gjallë nga burgu, do t’i gjeja dorëshkrimet”, shprehet Blloshmi sikur përsërit një betim të hershëm. Kështu, menjëherë pasi u lirua në vitin 1991 nga burgu i Burrelit, iu vu menjëherë punës për të gjetur këto dorëshkrime. Në vitin 1993 kërkoi poezitë e Vilit nëpërmjet arkivit të Ministrisë së Brendshme. “Aty pashë shumë gjëra që më duheshin dhe në vitin 1997 kam hyrë në arkiv dhe kam marrë të gjithë këto materiale që sillen sot. Kam gjetur dhe një dosje operative, sepse Genci dhe Vilsoni kanë dosjen përkatëse. Provat dhe hetimet e kësaj dosjeje unë do t’i botoj së shpejti dhe aty do të shihni një llahtar të vërtetë, se si i kanë ndjekur, i kanë spiunuar dhe provokuar Vilsonin dhe Gencin”, - tregon. I bindur se ka ende shumë më tepër të dhëna e dokumente, që duhen gjetur, ai i referohet aktekspertizës së bërë nga Muzafer Xhaxhiu, ku thuhet se janë disa dosje: ka shënime, blloqe, etj. “Unë me zor kam gjetur tri blloqe në SHIK, ku bëra një kërkesë. Por jam i bindur se ka të tjera”. Së shpejti Blloshmi do të nxjerrë një botim të këtij lloji edhe për Genc Lekën me materiale të mbledhura në Institutin e Gjuhësisë dhe Folklorit. “I kam kërkuar dhe gjetur 300 e ca faqe, ku ai merrej me fjalë të rralla. I kam bërë gati dhe janë në proces botimi. Janë dhe 300 faqe të tjera tek Instituti i Foklorit, të cilat ende nuk i kam marrë”. Kujton një letër të Genc Lekës, e fundit e shkruar prej tij Blloshmit, më 1976, ku uron për Vitin e ri e thotë: “Pas këtij viti do të kemi takime të shpeshta e do të bëjmë gjëra shumë të mira.” Për fat të keq, pas tre muajsh i vunë hekurat dhe pas 10 muajsh e pushkatuan. “Unë do të vazhdoj rrugën time kërkimore në të gjithë mënyrat. Po të vijë puna, do të përdor edhe forcën, edhe inatin. Sepse shoh se janë ca gjëra që jo vetëm nuk duan të m’i japin, por janë të ndaluara sipas tyre. Unë do t’i zhbiroj të gjitha dhe shumë shpejt do t’i keni në një botim”, - përfundon Blloshmi.
Poezi të V. Blloshmit
Saharaja
Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja
Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.
Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj...
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.
Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë, as bir.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.
Natës s’i pëlqen në Sahara,
S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;
Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;
Perç’ e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë.
As dhe një s’e di si është kandisur
Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,
Por se thonë në botë është stisur
Kur i duhej njerëzisë mallkimi.
Kur ai për keq e mban në gojë,
Saharaja e mban vesh e qesh.
Saharaja fillon të gëzojë,
Kur ne mallkohemi mes nesh.
E kur bie ndrojtur rrez’ e diellit
Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit,
I ngjan vello savani i qiellit,
Shkretëtirës shket e shkrepëtit.
Prandaj, kur urrejtjen e fortë e nxehur
Mbi dikë mallon e shfryn e shan,
Që nga skuta del kujtimi i dehur
Dhe thërret menjëherë Saharanë.
Kur mallkimi shfryn e kur kujtimi
Në pusin e harresës tret...
Kur hyn dielli e kur hesht thëllimi,
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.
25.10.1973/ 25.10.1974 (Është e vetmja poezi e daktilografuar prej hetuesisë. Dorëshkrimin nuk e njohim)
Dhe mua më duket se vrapoj
Me tmerr nëpër tubin e grykës së topit!
Pas sekonda dhe po nëpër këtë grykë
Do të kalojë predha e llahtarshme.
Oh, pengesat, viaskat!
Ah, gryka sa larg!
Ja shpërthimi dhe pak
Ja-ja, vrapo... ah...sss.
Kjo poezi është nxjerrë nga një copëz letër, e gjetur mes materialeve të tjera në dosjen gjyqësore që ndodhet në Arkivin e Policisë.
Moj yllëz e vogël, moj yllëz e vogël,
Mes nesh si nuk erdhe po mbete që larg;
Përmes hapësirës mbi tokën si gogël,
Moj yllëz e vogël s’na vë re aspak.
Moj yllëz e vogël, moj yllëz e vogël,
Me lotin e rrezes aspak nuk na lag;
Tej visesh qiellore larg tokës si gogël,
As ndizesh, as shuhesh, po feks që nga larg.
25.10.1974
Ky është varianti i ri, i zbuluar bashkë me dorëshkrimet e përkthimeve. Varianti i parë është botuar te libri “Vilsoni dhe Genci”.