Qeveria miraton ligjin për krijimin e pronësisë së tokave bujqësore
Në mbledhjen e dytë të qeverisë për këtë vit u miratua ligji Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, i cili udhëzon verifikimin vlefshmërinë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, gjatë kontrolleve të drejtpërdrejta, që ushtrohen me nismën e komisioneve vendore të verifikimit të titujve të pronësisë. Sipas këtij udhëzimi komisioni vendor i verifikimit të titujve të pronësisë, me nismën e vet, ushtron
kontrolle të drejtpërdrejta e të plota mbi veprimtarinë dhe veprimet e kryera nga ish-komisionet e tokës të të gjitha niveleve në procesin e ndarjes së tokës bujqësore, për sipërfaqet e tokave të ish-Ndërmarrjeve Bujqësore, si dhe për sipërfaqet në zonat e zhvillimit me përparësi turizmin, të përcaktuara në ligjin numër7665, datë 21.1.1993, Për zhvillimin e zonave, që kanë përparësi turizmin. Ligji përcakton se drejtori i komisionit vendor, në bazë të programit vjetor të miratuar për veprimtaritë e kontrollit dhe verifikimet, përgatit urdhrin e kontrollit, i cili miratohet nga prefekti i qarkut. Gjithashtu drejtori i komisionit vendor, për mbledhjen e dokumentacionit që do të kontrollohet, përgatit dhe bashkënënshkruan me prefektin një kërkesë, e cila u drejtohet institucionit të kryetarit të komunës ose bashkisë, ku i kërkohen të dhëna për sipërfaqen e tokës bujqësore të vënë në dispozicion për tu ndarë, të dhëna për numrin e frymëve sipas fshatrave, më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore, lista e anëtarëve të ish-kooperativës bujqësore si dhe të dhëna për normën e tokës bujqësore në m2 për frymë, sipas fshatrave. Ndër të tjera në këtë ligj parashikohet që Institutit i Sigurimeve Shoqërore, të konfirmojë, për përfituesit e tokës bujqësore, qenien apo jo, anëtarë të ish-kooperativës bujqësore, punonjës të ish-ndërmarrjes bujqësore, sipas akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, për të cilët do të kryhet shqyrtimi i vlefshmërisë ligjore. Vendimi i Komisioni vendor, pas mbledhjes së dokumentacionit, harton listën e akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, të administruara. Vendimi titullohet Vendim për plotësimin e aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi dhe përgatitet në tri kopje origjinale, nga të cilat: një kopje e lidhur me vulë lidhëse me fotokopjen e aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi i dërgohet zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për tiu bashkëlidhur aktit origjinal të marrjes së tokës bujqësore në pronësi. një kopje i jepet përfaqësuesit me prokurë të familjes bujqësore. një kopje, së bashku me aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi dhe dokumentacionin e krijuar, ruhet në dosjen përkatëse të komisionit vendor.