E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, provimet me zgjedhje, përfundon hartimi i 12 testeve

Sot në mbrëmje nis shpërndarja e tyre nëpër drejtori arsimore.

Jonida Tashi

Përfundon hartimi i tezave për 12 provimet me zgjedhje të Maturës. Burime nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), bëjnë të ditur se tashmë gjithçka është gati dhe në orën 22.00 të mbrëmjes së sotme do të nisë shpërndarja e testeve të përgatitura në drejtoritë arsimore. Ashtu siç është proceduar edhe për provimet me detyrim të Maturës, fillimisht testet do të dërgohen në drejtoritë arsimore më të largëta të vendit, për të vijuar më pas me ato që ndodhen afër kryeqytetit. Kështu, sipas një grafiku të caktuar, zonat më të thella të vendit do të tërheqin të parat testet e provimit. Shpërndarja do të fillojë me Tropojën, për të përfunduar me Tiranën, në orën 6.00 të mëngjesit të nesërm. Për të siguruar sekretin e testeve të provimit të gjitha makinat që do të kryejnë transportin e materialeve drejt drejtorive arsimore do të shoqërohen nga Policia e Shtetit. Ashtu siç është përcaktuar tashmë, 60 për qind e pyetjeve në testet e provimeve me zgjedhje, me të cilat do të masin dijet e tyre për në universitet rreth 47 mijë maturantë, do të jetë nga programet orientuese që janë shpërndarë nëpër shkolla për çdo lëndë. Provimet me zgjedhje janë prova e fundit dhe me më shumë peshë për pranimet në universitete, që duhet të kalojnë maturantët për tu ulur në auditore. Për këtë arsye, këto provime pritet të zhvillohen në kushte më të rrepta sigurie.
Hyrja në provim
Për të mos e ndërprerë garën e pranimeve në universitete që në ditën e provimit, maturantët duhet të paraqiten në shkollë një orë përpara fillimit të tij. Në këtë kohë kryhet identifikimi i maturantëve, hyrja në mjediset e provimit (klasa), ulja e tyre në vende si dhe leximi i rregullave për kandidatët. Procesi i identifikimit të çdo maturanti gjatë hyrjes së tyre në mjediset e provimit do të kryhet nga përgjegjësi i administrimit të provimit. Me kërkesën e tij, ai mund të ndihmohet nga drejtori i shkollës, administratorët e provimit dhe administratori i sekretimit. Ndërkohë që pas fillimit të zhvillimit të provimit, drejtori i shkollës qëndron në shkollë, por nuk lejohet të hyjë në mjediset ku zhvillohet provimi. Hyrja dhe ndarja e çdo nxënësi nëpër klasa, do të bëhet duke ndjekur rigorozisht rendin zbritës të listës emërore të dërguar nga AVA. Maturantët, ditën e provimit, duhet të kenë me vete për identifikim pasaportën ose certifikatën personale me fotografi ose letërnjoftimin. Lejohet hyrja në provim vetëm e nxënësit të shpallur në listë. Ndërsa përsa i përket sistemimit të çdo maturanti, në mjediset/sallat e provimit ai do të bëhet një nga një, sipas rendit të hyrjes së tyre dhe askush nuk do të lejohet të ndërrojë vendin. Në ato shkolla apo mjedise ku provimi administrohet vetëm në një klasë, sistemimi i nxënësve do të bëhet sipas rendit alfabetik.
Sekretimi i testit
Testet e maturantëve do të sekretohen menjëherë, pasi të fillojë procesi i zhvillimit të provimit. Procesi i sekretimit të testeve do të realizohet nga administratori i sekretimit dhe përgjegjësi i administrimit të provimit. Administratori i sekretimit, pasi kryen identifikimin e nxënësit/kandidatit dhe prezencën e tij në listën emërore, realizon ngjitjen e etiketave të kodit të sekretimit (barkodeve) në hapësirat e parashikuara në test dhe në listën emërore. Gjatë procesit të sekretimit nxënësi duhet të firmosë pasi të ketë verifikuar ngjitjen e barkodeve në listën emërore dhe në testin e tij. Ndërsa administratori i sekretimit ngjit njërën nga etiketat e kodit të sekretimit(barkodit) përkrah emrit të nxënësit në listën emërore dhe etiketën tjetër të barkodit, e ngjit mbi vendin e parashikuar në test. Për provimet e lëndëve me zgjedhje mund të përdoren barkode treshe. Përgjegjësi i administrimit të provimit së bashku me administratorët e sekretimit bëjnë mbylljen e kodeve të sekretimit të papërdorura, pas përfundimit të procesit të sekretimit.

Akademitë këtë vit, pa provime me zgjedhje, Arkitektura po

Kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, mund të konkurrojnë në këto Institucione të Arsimit të Lartë Publik pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje. Gara e provimeve për këtë vit përfshin një sërë ndryshimesh për lëndët me zgjedhje, ku është vendosur që për akademitë sportive dhe artistike të mos zhvillohen provimet me zgjedhje. Kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta në këto profile akademike, do të përzgjidhen në bazë të rezultateve që do të arrijnë në testimin e pjesës speciale të konkursit. Bazuar dhe në llojin e degës, konkursi special për këto kandidatë do të zërë deri në 80 për qind të peshës përzgjedhëse të kandidatëve fitues për në universitet. Pjesa tjetër do t’i atribuohet mesatares së shkollës së mesme. Përjashtim në këtë rast do të bëjë vetëm dega e Arkitekturës, e cila do të japë dhe pjesën speciale, por dhe atë të lëndëve me zgjedhje, sepse kërkohet që maturantët që përzgjedhin këtë degë, të kenë aftësi edhe në fusha të tjera, të cilat janë të domosdoshme.

Përjashtimi ose mosnjohja e rezultateve të provimit
Ditën e provimit nxënësi përjashtohet dhe nuk i njihet rezultati i provimit në qoftë se:
Nuk është i pajisur me dokument identifikimi
Nuk qëndron në vendin që i caktohet
Përpiqet të japë provimin për një nxënës tjetër
Bën përpjekje të fitojë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit
Merr ose jep ndihmë, informacion, kopje ose komunikon me nxënës të tjerë
Bën komente lidhur me përmbajtjen ose zgjidhjen e testit gjatë kohës së zhvillimit të provimit
Përdor mjete shkrimi të ndryshme nga ato të specifikuara për këtë qëllim (të cilat janë: stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu
Merr me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve
Largohet nga mjedisi i provimit pa kryer procesin e sekretimit
Heq, shkruan ose dëmton kodin e sekretimit (barkodin) të vendosur në test
Dëmton testin (palos, zhubros, gris) ose nuk e dorëzon atë

Penalizimet nëse maturanti thyen rregullat e provimit
Në qoftë se një maturant thyen rregullat e provimit, atëherë administratori i provimit njofton përgjegjësin e administrimit të provimit dhe merr këto masa disiplinore:
Nxënësi përjashtohet nga provimi, në qoftë se thyen rregullat e provimit
Nxënësi përjashtohet nga provimi dhe i hiqet e drejta të japë provimet e Maturës për vitin në vazhdim, në qoftë se nuk zbaton rregullat e mësipërme
Në qoftë se përgjegjësi i administrimit të provimit merr një nga masat e parashtruara, ai urdhëron nxënësin të largohet nga salla e provimit, pa shqetësuar të tjerët
Në rast se nxënësi refuzon të largohet nga mjedisi i provimit, përgjegjësi i administrimit të provimit e informon atë mbi mosnjohjen e rezultatit, evidenton rastin me procesverbal dhe lejon vazhdimësinë e provimit

Të drejtat e maturantëve
Në rast se maturanti vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit nga ana e nxënësve të tjerë, ai ka të drejtë të raportojë për parregullsi tek administratori i provimit, PAP-i ose përfaqësuesi i DAR/ZA.
Maturantëve të verbër, pasi u jepet broshura e testit, veçohen në një mjedis të përshtatshëm. PAP cakton një person për leximin e pyetjeve të testit dhe për plotësimin e përgjigjeve, që jep me gojë nxënësi, në fletën e testit Në këto raste të mundësohet regjistrimi i përgjigjeve
Maturantët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk duhet të dalin nga mjedisi ku zhvillohet provimi para dy orësh nga fillimi i tij, por të grumbullohen në një sallë, të përcaktuar që më parë.
Nëse testi që i jepet nxënësit është i dëmtuar ose me faqe të bardha, ai ka të drejtë të kërkojë menjëherë ndërrimin e testit

Detajet për dy provimet me zgjedhje
47 mijë maturantë do të marrin pjesë në provimet me zgjedhje
12 lëndë me zgjedhje janë vënë në dispozicion të maturantëve këtë vit
10 korrik është data në të cilën do të zhvillohen këto provime
4 orë është kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve me shkrim për të dy testet e provimeve
20 pyetje në total do të përmbajë secili prej provimeve me zgjedhje
10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative dhe do të kenë 10 pikë
10 pyetje do të jenë me përgjigje me zhvillim dhe do të vlerësohen me 30 pikë
80 pikë është në total maksimumi i pikëve që duhet një maturant për dy provimet me zgjedhje
60 për qind e pyetjeve në testet e provimeve me zgjedhje do të jetë nga programet orientuese

Lëndët me zgjedhje më të preferuara vjet kanë qenë:
Njohuri për shoqërinë
Filozofi-Ekonomi
Anglisht
Histori
Biologji
Gjeografi
Kimi
Fizikë
Frëngjisht

12 lëndët me zgjedhje për maturantët këtë vit janë:
Histori
Gjeografi
Njohuri për Shoqërinë
Ekonomi-Filozofi
Fizikë
Kimi
Biologji
Anglisht
Histori
Frëngjisht
Italisht
Gjermanisht
Spanjisht

9 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›