E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria miraton programin buxhetor afatmesëm 2010-2012

Berisha: Buxheti, mbështetje të fuqishme procesit të integrimit të Shqipërisë në BE


Këshilli i Ministrave miratoi sot në mbledhjen e radhës buxhetin afatmesëm 2010-2012. Kreu i qeverisë Sali Berisha, në fillim të mbledhjes së kabinetit qeveritar duke bërë prezantimin e programit buxhetor afatmesëm 2010-2012, tha se ky është buxheti i formësimit përfundimtar të shëmbëlltyrës europiane të Shqipërisë. Kryeministri Berisha bëri me dije se buxheti afatmesëm përputhet tërësisht me interesat e zhvillimit të vendit, me interesat e zhvillimit të komuniteteve dhe rajoneve, me interesat e zhvillimit të shoqërisë shqiptare dhe integrimit të saj në BE. Në këtë drejtim, kryeministri theksoi se buxheti do të mbështesë fuqishëm çdo kërkesë që rrjedh nga procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Buxheti do të jetë një mbështetje e madhe për të gjitha proceset integruese. Ne miratojmë këtë buxhet, pas vendimeve historike të Brukselit për Shqipërinë, pasi Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian vendosi të miratojë kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit dhe i kërkoi Komisionit nisjen e punës për pyetësorin. Unë dua të garantoj se buxheti do të mbështesë fuqishëm çdo kërkesë që rrjedh nga procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, u shpreh kryeministi Berisha. Shefi i ekzekutivit vuri në dukje se buxheti afatmesëm 2010-2012 është buxhet i projekteve të mëdha infrastrukturore. Në këtë kuadrër Berisha specifikoi rrugën e Arbrit me gjithë tunelin e parë 3.2 km apo 3.7 km, autostradën Tiranë- Elbasan dhe përfundimin e Boshtit të Jugut. Gjithashtu, kryeministri nuk la pa përmendur si një pikë tepër të rëndësishme në buxhetin ambicioz, rritjen e pagave dhe pensioneve. “Buxheti është buxheti i rritjes së rrogave dhe pensioneve, i një politike konstante të kësaj qeverie”, tha Berisha. Në përfundim, kryeministri Berisha i apeloi përsëri opozitës dhe kreut të saj Edi Rama që të largohet nga shterpësia dhe të rinisë bashkëpunimin me mazhorancën. “Edhe një herë, gjej rastin të ftoj opozitën për bashkëpunim, t’i lërë praktikat, të cilat i ka gjetur vetë si pemë pa kokrra”, shtoi më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›