E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë: Nehat Kulla të qëndrojë në burg për dy dekada

Lihen në fuqi vendimet e gjykatave të dy shkallëve më të ulëta

Laureta Rryçi

Gjykata e Lartë la dje në fuqi vendimet e dy shkallëve të tjera të Gjyqësorit, duke e dënuar me 20 vjet heqje lirie 57-vjeçarin Nehat Kulla, i njohur ndryshe në Tiranë përgjatë trazirave të 1997-s si “Gjenerali”. Pavarësish se dy avokatët mungonin dhe kishin paraqitur kërkesë për shtyrje të procesit në një datë tjetër, Gjykata e Lartë mori në shqyrtim kërkesën e Kullës, i cili kishte bërë rekurs dhe kërkonte pushimin e çështjes për akuzën e vrasjes së ish-shoferit të ish-ministrit të Rendit, Halit Shamata. Kolegji vendosi të shqyrtojë kërkesën në prani vetëm të përfaqësuesit të Prokurorisë së Përgjithshme, i cili i tha gjykatës se duhej të liheshin në fuqi vendimet e dy gjykatave të tjera.
Dënimi
Gjykata e Shkallës së Parë e Kavajës dhe ajo e Apelit të Durrësit e kanë dënuar Nehat Kullën me 20 vjet burg për akuzën e vrasjes së Halim Gjuzit, në vitin 1998, në afërsi të Golemit. Sipas prokurorisë, pas një incidenti me makinë viktima është gjendur në breshërinë e armëve të zjarrit duke mbetur i vrarë në vend. Dëshmitarët thanë se makina nga u qëllua ishte me targa ushtarake, duke e çuar organin e akuzës në dyshimet se mund të kishte qenë Nehat Kulla. Pas një sërë peripecish, mes të cilave pesë arrestime e më pas liri e amnisti, Nehat Kulla riprangoset në 2005-n gjatë një operacion blic të firmosur nga gjykata për kontroll banese. Nga ky kontroll doli ashtu siç prisnin forcat e policisë, se Gjenerali mbante në kullën e tij armë. Ndërsa dënohet me katër vjet heqje lirie, prokuroria njëkohësisht deklaron se po e hetonte 57-vjeçarin edhe për vrasje. Nehat Kulla nuk e ka pranuar kurrë të jetë autor i ngjarjes, e për këtë edhe avokatët e tij mbrojtës, në dy shkallët e tjera, u kanë thënë togave të zeza se dëshmitë dhe provat e mbledhura janë manipuluar.
Pa autor
Vrasja e shoferit të ish-ministrit ishte e pazbardhur për vite me radhë, por prokuroria vendosi që ta hapë sërish këtë çështje. Rinisja e hetimeve u bë pasi, sipas institucionit të akuzës, kishte disa dëshmitarë, të cilët deklaruan se ishte Nehat Kulla ai që qëlloi mbi Halim Gjuzin. Ngjarja për të cilën po hetonte Prokuroria bënte fjalë për Halim Gjuzin, i cili atë ditë ka qenë duke udhëtuar në një automjet bashkë me familjen e tij. Dëshmitarët kanë pohuar se shoferi i ish-ministrit është qëlluar me armë zjarri në prani të familjes së tij, ku bënin pjesë edhe dy fëmijët. Gjuzi ndodhej duke udhëtuar drejt qytetit të Durrësit, i shoqëruar edhe nga dy miq të tij italianë. Aso kohe bëhej e ditur se autori i krimit ndodhej në një "Shevrolet" me targa ushtarake shtetërore. Ai besohet se ka qenë i shoqëruar nga një tjetër person, ndërsa ka qëlluar me një pistoletë të mbushur që e mbante në kroskotin e automjetit të tij.

Procesit të Aldo Bares i mungon një gjyqtar për të formuar kolegjin

Seanca e radhës në procesin për Aldo Bares nuk u arrit të zhvillohej. Kryesuesja e trupit gjykues, Fatmira Hajdari, është shprehur se shkak për shtyrjen e procesit për dy javë me radhë është bërë dekreti i fundit i Presidentit për gjyqtarin Artan Broci, i cili ishte pjesë e këtij kolegji. Tanimë i duhet Këshillit të Lartë të Drejtësisë të komandojë një gjyqtar tjetër për të formuar kolegjin penal në mënyrë që procesi të vijojë zhvillimin e tij normal. KLD-ja duhet të komandojë një gjyqtar nga gjykatat e tjera për shkak se gjyqtarët e krimeve të rënda janë ezauruar në dy dosjet e tjera për bandën e Lushnjës.

27 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›