E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i vetëvarur çobani, i dha fund jetës në gjendje të dehur



GJIROKASTËR - Një 41-vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u vetëvaruar në Gjirokastër. Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 09:30, është gjetur i vetëvarur në stallën e bagëtive Arben Demaj. Ka qenë një telefonatë në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër që ka bërë të ditur se në fshatin Grapsh të komunës Dropulli i Poshtëm të rrethit Gjirokastër, një shtetas është gjetur i varur në kasollen e bagëtive (e ka gjetur bashkëshortja e tij). Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, si dhe grupi hetimor ku ka rezultuar se në fshatin Grapsh të komunës Dropulli i Poshtëm të Rrethit Gjirokastër, Arben Demaj, 41 vjeç, lindur në Kuçovë dhe me banim të përkohshëm në Grapsh të rrethit Gjirokastër, është vetëvarur në kasollen e bagëtive, e cila ndodhet para shtëpisë ku banonte ky person me qira prej 3 vitesh. Grupi hetimor, nga këqyrja e kufomës nuk ka konstatuar shenja dhune në trupin e viktimës. Nga deklarimet e marra nga bashkëshortja e tij dhe banorët e këtij fshati rezultoi se shtetasi Arben Demaj kohët e fundit konsumonte pije alkoolike në sasi të mëdha dhe vuante nga depresioni. Shkaku i vetëvrasjes është konsumimi i tepërt i alkoolit si dhe gjendja depresive e tij kohët e fundit. Ky person punonte si çoban me bagëtitë e banorëve të fshatit Grapsh dhe jetonte me qira së bashku me familjen e tij në një shtëpi në këtë fshat.

Depresioni çon në vetëflijim 57-vjeçarin
FIER - Një burrë i ka dhënë fund jetës pasi është vetëhelmuar me fostoksinë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e Fierit. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se ditën e djeshme, rreth orës 17:30, në Spitalin rajonal në Fier ka shkuar në gjendje të rëndë një qytetar. Me marrjen e njoftimit efektivët e Komisariatit të Policisë Fier kanë shkuar menjëherë pranë këtij spitali dhe nga veprimet e para hetimore rezultoi se Flamur H., 57 vjeç, banues në Fier, sipas deklarimeve të mjekëve dhe familjarëve të tij ka pirë lëndë helmuese fostoksinë. Nga dëshmitë është mësuar se këtë veprim ai e ka kryer në kushtet e depresionit dhe me gjithë mjekimin intensiv, 57-vjeçari ka gjetur vdekjen në orën 20:30. Policia ka dërguar dosjen penale për ndjekje të mëtejshme në Prokurorinë e Fierit.

Seks për 10 mijë lekë, arrestohet 39-vjeçarja
FIER - Shiste trupin kundrejt parave, është vënë në pranga një 36-vjeçare. Ndalimi është bërë dy ditë më parë në qytetin e Fierit nga efektivët e Antitrafiqeve. Burime zyrtare nga uniformat blu lokale thanë se kanë vënë nën hetim dhe një 82-vjeçar, pasi akuzohet për vënie në dispozicion të ambienteve për ushtrim prostitucioni. Miranda Sh. është vënë në pranga në flagrancë, në momentin kur ishte duke bërë pazar me një klient në ambientet e banesës që përdorte për ushtrimin e aktivitetit. “Arrestimi i kësaj shtetaseje është bërë për veprën penale ‘ushtrim prostitucioni’”, - thanë gjatë ditës së djeshme burime zyrtare nga Policia e Fierit. Ndalimi është bërë në një banesë në lagjen “Konferenca e Pezës” në Fier. E arrestuara është kapur në kushtet e flagrancës për ushtrim prostitucioni kundrejt pagesës 10 mijë lekë. Por në vazhdim të hetimeve ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit Rrapo M., 82 vjeç. Ai është akuzuar për veprën penale të “mbajtjes së ambienteve për prostitucion”. Policia tha se kishte disa ditë që kishte nisur hetimet ndaj së ndaluarës, pasi kishte marrë informacione në rrugë operative. Siç mësohet, kanë qenë qytetarët që janë shqetësuar për aktivitetin që zhvillohej në afërsi të banesave të tyre, duke sjellë dhe nisjen e hetimeve nga Policia e Fierit.

27 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›