E Diel, 1 Nëntor 2026

Asambleja socialiste, miraton ndryshimet në statut, Edvini eliminon zyrtarisht oponencën në parti

Efektet e para të politikës toksike në selinë ylberiste, Ylli Manjani dorëhiqet nga Komisioni i Ligjeve në PS


Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka miratuar sot ndryshimet në statut, të cilat përligjin autokracinë e Edvinit dhe kryqëzimin e mendimit ndryshe në radhët e partisë. Në fillim të punimeve, Edvini mbajti fjalën e rastit, me nota psesimiste dhe antidemokratike kundrejt qeverisë dhe pushtetit në vend. Përmes imponimeve të dhunshme Rama kërkoi penalizimin e kritikëve ndaj partisë, ndërsa paralajmërimi i tij ishte për nxjerrjen jashtë radhëve të partisë të atyre eksponentëve që dalin jashtë linjës së kryetarit... Asambleja Socialiste pranoi heqjen e votimit ‘një antar, një votë’ për kryetarin e partisë së rrethit, por hodhi poshtë legalizimin e fraksioneve. “Vendimi për ndryshimet në statut ishte unanim”, tha sekretari organizativ Blendi Klosi. “Asambleja kombëtare e PS në mbledhjen e sotme, në mënyrë unanime miratoi programin e PS dhe ndryshimet statutore të cilat do të jenë pjesë e diskutimit të gjerë të gjithë strukturave të partisë dhe po ashtu pjesë e diskutimit dhe vendimmarrjes të kongresit të PS që do të mbahet në datën 18 prill”, tha Klosi, duke ia pasuar anëtarësisë përgjegjësinë e eleminimit të fraksioneve dhe mendimit kritik në radhët e partisë. Por nga ana tjetër, ka reaguar Lëvizja për Mendim Ndryshe. Deputeti Marko Bello dhe një nga përfaqësuesit e LMN-së, u shpreh se Kongresi duhet t’i shqyrtojë edhe njëherë ndryshimet në statut dhe njëherazi të legalizojë edhe fraksionet në parti. “Në kongres të bëhet votimi i fshehtë dhe anëtarët të vendosin. Pra, nëse anëtarët vendosin në shumicë për këto ndryshime dhe për të tjera sikurse kërkohej dhe nga anëtarë të tjerë të Asamblesë apo të partisë, kjo është demokratike”, tha Bello. Ndërsa i menjëhershëm ka qenë reagimi i edvinistëve, përmes anëtarit të grupit te punës për ndryshimet në statut Damian Gjiknuri, i cili tha se krijimi i fraksioneve nuk u mbështet nga antarësia në një pyetësor. Duke u bazuar në këtë tezë dhe qëndrim të linjës zyrtare të PS-së, fakti i heqjes së përligjies së mendimit ndryshe, ka të bëjë edhe me manipulimin e anëtarësisë së thjeshtë socialiste, qëndrimi i të cilëve sigurisht që ka qenë për një parti me frymë të theksuar demokratike dhe liberale.


Efektet e para të politikës toksike në selinë ylberiste, Ylli Manjani dorëhiqet nga Komisioni i Ligjeve në PS


Politika e “eleminimit” dhe e “gjymtimit”, të mendimit ndryshe në Partinë Socialiste ka dhënë efektet e para, teksa një prej anëtarëve të Asamblesë kombëtare dhe njëherazi një prej kontribuesve të së majtës shqiptare, Ylli Manjani, ka dhënë dorëheqjen nga kryesimi i Komisionit të Hartimit të Ligjeve në PS. I njohur si një ndër përfaqësuesit e mendimit ndryshe dhe për oponencë të theksuar ndaj kryetarit aktual të selisë rozë, Edi Rama, Manjani është bërë “kurbani” i parë i protektoratit totalitar që tashmë është ngjizur në PS, duke filluar nga dita e sotme. Pas fjalës së Ramës në Asamble dhe përcjellja e kërcënimeve prej tij, për kundërshtarët në parti dhe ata që bëjnë opozitë ndaj opozitës, Manjani pa të udhës largimin përfundimtar nga një pjesë e rëndësishme e strukturave të selisë ylberiste. Juristi Manjani është shprehur gjatë komunikimit me mediat, se PS nuk ka më demokraci të brendshme dhe se ka ndryshuar ligjet në parti, pa pyetur më parë, komisionin përkatës, pra atë të Ligjeve. “PS është në kufi të legjitimiteti dhe nuk pranon mendimet ndryshe. PS nuk respekton më demokracinë e brendshme dhe nuk pranon të bashkëjetojë me ata që mendojnë ndryshe. I jam nënshtruar parimeve profesionale. Nuk mund të jem kryetar i një komisioni partie që shkel ligjin, që miraton ndryshime në statut dhe komisioni nuk pyetet fare”, u shpreh Ylli Manjani, anëtari i Asamblesë kombëtare të PS. Ndërkaq, kjo lëvizje, pritet të pasohet edhe nga përfaqësues të tjetër të Partisë Socialiste, të njohur për kritikat e tyre në adresë të kryesocialistit në detyrë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›