Qeveria ndryshon ligjin për SHISH-in
TIRANË - Nën pretekstin e luftës kundër mafies, kryeministri i vendit, Sali Berisha,
ka paralajmëruar dje edhe ndryshimin e ligjit për SHISH-in. Në mbledhjen e fundit të komitetit këshillimor në prani edhe të Drejtorit të SHISH-it, Bahri Shaqiri, kreu i ekzekutivit është shprehur se edhe ligji për këtë institucion do të amendohet.
"Ligji për Shërbimin Informativ do të amendohet, në mënyrë që të përshtatet plotësisht me kushtet e reja të luftës kundër mafies. Duhet mbështetje më e fuqishme e policisë dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, në mënyrë që të mund ta përballojmë më me sukses këtë betejë. Agjencia e Luftës Kundër Larjes së Parave, do të marrë disa atribute të tjera që kanë vendet demokratike të Evropës", - tha dje Berisha. Kryeministri theksoi se
qeveria është e gatshme të miratojë e të dërgojë në parlament, të gjitha sugjerimet, propozimet, amendimet që duhen për të pasur sukses në luftën kundër krimit të organizuar. "Në këtë kontekst, ishte edhe vendimi për zgjatjen e moratoriumit të skafeve, i cili ishte jashtëzakonisht i dobishëm, sepse skafet janë industria e mafies. Madje, ky moratorium, mendoj se është e panevojshme të zgjatet vetëm 3 vjet, por duhet të vendoset për një kohë të pacaktuar", - tha ai.