AKKP, Kuvendi miraton draftin. PR abstenon
Miratohet edhe drafti për tokat në përdorim. Topalli shtron pritje vetëm për deputetët mazhorancës
TIRANË - Kuvendi ka miratuar dje në seancën e fundit të tij për këtë vit dy projektligje shumë të rëndësishme që prekin në thelb çështjen e pronës në vendin tonë. Kështu, mazhoranca ka dhënë pëlqimin e saj me votë në Kuvend, duke kaluar ligjin që bënë të mundur shkrirjen e agjencive rajonale të kthimit dhe kompensimit të pronave, duke ia kaluar të gjitha kompetencat agjencisë qendrore me selinë në Tiranë, ndërsa bënë gjithashtu edhe shtyrjen e afatit të shqyrtimit të kërkesave të depozituara deri në fund të vitit 2011. Ligji në fjalë për shkak të shkrirjes së zyrave rajonale shkurton ankimimin administrativ të ankimimeve të të gjitha subjekteve, duke lënë si mundësi të vetme vetëm ankimin gjyqësor. Gjatë miratimit të këtij ndryshimi në seancë është vënë re vota abstenim e deputetit të PR-së Fatmir Mediu. Një tjetër nismë e rëndësishme që dje ka marrë vlerën e ligjit ka qenë edhe ajo që siguron ndërhyrjen në tokat e ish-Ndërmarrjeve Bujqësore të marra në përdorim nga familjet bujqësore ose individë të ndryshëm. Ligji parashikon që të gjithë përdoruesit e këtyre tokave t'i lënë ato për tu kompensuar me sipërfaqe trualli në zonat urbane në përmasa që variojnë nga 300 metra në 750 metra, kjo në varësi të frymëve që përbëhet një familje. Ky ndryshim që i bëhet ligjit bazë, prek kryesisht të gjitha tokat e ish-NB-ve brenda zonave me përparësi të zhvillimit të turizmit apo edhe ato që ndodhen sot brenda vijave të verdha kufizuese të qyteteve dhe fshatrave. Objekt i këtij ligji do të jenë rreth 9 mijë familje, përfshi këtu edhe ato të zonës së Ksamilit, të cilat deri më tani kishin marrë toka në përdorim, por pa i pasur ato në pronësi. Ky ndryshim i bërë është konsideruar më parë si antikushtetues nga Komisioni i Ligjeve, pasi cenon ligjin themeltar në nenin ku dhe përcaktohen rrugët e fitimit të një titulli pronësie. Në fund të seancës kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka thirrur deputetët në një pritje të dhënë në vilën 30 me rastin e festave të fundvitit dhe ku kanë munguar deputetët e opozitës, të cilët nuk janë ftuar.