Çështja çame, Idrizi debat me Dulen në Kuvend
Seanca e fundit plenare e Kuvendit të Shqipërisë për këtë vit për pak sa nuk është shndërruar në një "seancë boksi"
TIRANË - Seanca e fundit plenare e Kuvendit të Shqipërisë për këtë vit për pak sa nuk është shndërruar në një "seancë boksi" mes përfaqësuesve të komunitetit çam dhe atij grek. Debati i nisur që të shtunën e shkuar, kur gjatë kongresit të Jashtëzakonshëm të PBDNJ-së, kreu i kësaj force, Vangjel Dule, akuzoi partitë çame si forca që punojnë kundër integrimit evropian, dhe i vijuar gjatë gjithë kësaj jave me akuza dhe kundërakuza mes tyre, ka arritur kulmin dje në Kuvend, ku nuk kanë munguar edhe tentativat për përplasje fizike midis deputetit të PDU-së, Dashamir Tahiri, dhe kryetarit të partisë që mbron interesat e minoritetit grek në vendin tonë. Çdo gjë gjatë seancës së djeshme ka marrë shkas nga fjala e deputetit çam, Dashamir Tahiri, i cili, duke iu referuar pikërisht deklaratës së Dules në kongres, e ka akuzuar atë si nxitës të urrejtjes mes popullsisë çame dhe asaj greke, si dhe mohues të masakrave, që ekstremistët grekë kanë ushtruar gjatë viteve të luftës së dytë botërore dhe pas saj ndaj kësaj popullsie. "Ky njeri që nuk njeh vrasjet, përdhunimet, shpërnguljet, negocidin e mijërave vetëve na prezantohet ne flamurtar i të drejtave të njeriut. Z. Dule ka ofenduar popullin shqiptar dhe për këtë ai nuk mund të shpëtojë pa na kërkuar falje kombëtare. Për ato që ke thënë ti meriton të ndiqesh penalisht", - tha Tahiri në fjalën e vet. Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të PBDNJ-së, i Vangjel Dule, i cili duke replikuar me deputetin Dashamir Tahiri, ka theksuar se përfaqësuesit e PDU-së nuk kanë pse të irritohen, pasi deklarata e bërë në kongres i referohej periudhës së qershorit 2009, kur kjo forcë politike nuk ishte krijuar ende. "Disa politikanë sot e kësaj dite kanë kurajën që të protestojnë përpara selisë së Bashkimit Evropian me sloganin, që të mos integrohemi në BE. Nëse nuk është e vërtetë dhe nëse nuk përfaqësojnë qëndrimet e tyre le t'i përgënjeshtrojnë dhe të pranojnë gabimin e bërë. Ju nuk mund të mblidhni vota duke shpallur armik Vangjel Dulen", - tha Dule në replikën e vet. Por akoma më i ashpër ka qenë qëndrimi i deputetit tjetër të PDU-së së çamëve Shpëtim Idrizi, i cili nga foltorja e Kuvendit ka akuzuar Dulen në mënyrë të drejtpërdrejtë, si përfaqësues të fantazmave të së shkuarës dhe si provokator të 300 mijë çamëve, që kërkojnë të drejtat e tyre. "Është e vërtetë që qarqe të caktuara antishqiptare janë munduar ta fshehin këtë çështje. Por, ne jemi 300 mijë qytetarë çamë që nuk ndodhemi rastësisht këtu. Zoti Dule unë shtëpinë time e kam në Margëlliç, ndërkohë që ti rrije në kasolle. Por të them se unë e kam ndërruar fanellën time, por e di se çfarë fanelle kam veshur. Kam veshur fanellën e shtëpisë time, familjes sime komunitetit tim dhe të shqiptarëve. Po të them edhe një herë mos na provoko zoti Dule", - tha Idrizi, ndërsa ka hedhur poshtë edhe pretendimin e Dules se u largua nga koalicioni i djathtë para zgjedhjeve parlamentare se pjesë e tij u bë partia tjetër e çamëve PDI. Menjëherë pas tij ka replikuar sërish Dule, por pa mundur ta përfundojë deri në fund fjalën e vet, pasi qëndrimi i tij ka irrituar deputetin Dashamir Tahiri, i cili, duke përfituar nga afërsia ku dhe qëndrojnë ulur në sallë, ka tentuar ta sulmojë edhe fizikisht. Është dashur ndërhyrja e Idrizit që të evitohej një incident i tillë, i cili ka vijuar më pas fjalë fyese dhe kërcënuese mes të dyja palëve.