Vdes në aksident polici rrugor
FIER - Dy të vdekur dhe katër të plagosur është bilanci i aksidenteve në rrethin e Fierit gjatë dy ditë më parë dhe mëngjesin e djeshëm. Një fëmijë 3 vjeç ka vdekur ndërsa katër anëtarët e tjerë të familjes së Sokrat Dules janë plagosur rëndë, pas daljes nga rruga të makinës me të cilën udhëtonin. Sipas ekspertëve, në afërsi të fshatit Feras, shoferi ka humbur kontrollin nga shpejtësia e madhe dhe parakalimi i gabuar. Makina ka përfunduar në kanalin anësor të rrugës të mbushur me ujë. Për pasoje fëmija është mbytur nga uji që pothuajse mbuloi mjetin. Një tjetër aksident me vdekje ka ndodhur mëngjesin e djeshëm. Për shkak të përgjumjes ndërsa drejtonte makinën, një polic rrugor ka gjetur vdekjen në unazën e qytetit të Fierit. Roland Musaraj që punonte prej 20 vjetësh ne sektorin e qarkullimit rrugor të Lushnjës, po kthehej në shtëpi rreth orës 04:00 të mëngjesit, kur është aksidentuar. Sipas policisë shoferi ka humbur kontrollin dhe makina është përplasur me një kamionçinë të parkuar në anë të rrugës. Nga goditja e fortë, polici 50-vjeçar ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Aksidentohet tre makina, plagosen katër persona
SHKODËR - Tre automjete janë përplasur pas mesditës së djeshme në qendër të komunës turistike të Velipojës, ku 4 persona kanë mbetur të plagosur, 2 prej të cilëve në janë në gjendje të rëndë. Të lënduarit janë Ramadan Gruemira 50 vjeç nga Shkodra dhe Renato Kola 27 vjeç po nga Shkodram, të cilët gjenden në spitalin e rajonal, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy të plagosurit e tjerë një 14-vjeçar me iniciale F. K., dhe i afërmi i tij me iniciale Y. K., kanë pësuar vetëm gërvishtje të lehta. Aksidenti ndodhi kur tre automjetet, një “Audi”, një “Volksvagen” dhe një “Benz:, u përplasën mes tyre pas një tentative të gabuar parakalimi të mjetit të fundit.
19 Korrik 2010