E Diel, 1 Nëntor 2026

“Luftë” në Lezhë, një adoleshent i vrarë, një polic i plagosur



Artan CENA
LEZHË - Një aksion i policisë për të arrestuar të dyshuarit si grabitës të tre shtetasve malazez, ka përfunduar në mënyrë tragjike, me një person të vdekur dhe një polic të plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi në orët e mesditës së djeshme në fshatin Balldre të Lezhës. Sic bëhet e ditur nga burime zyrtare të policisë, i vdekuri është adoleshent me inicialet A. S., 16 vjeç, ndërsa polici i plagosur rëndë është Dritan Loreci, 40 vjeç. Në aksion janë përfshirë forca të shumta të policisë dhe ato të FNSH. 16-vjeçari ishte duke udhëtuar së bashku me tre persona të tjerë në një makinë “Benz”. Ata nuk i janë ndaluar dy postblloqeve të policisë, duke u kapur më pas në një rrugë të fshatit Balldre.
Nisja e ngjarjes
Ngjarja e rëndë ka filluar që në qytetin e Lezhës. Policia kishte marrë informacione se, dy të rinj dyshoheshin si grabitës të tre qytetarëve malazezë pak ditë më parë dhe është vënë në ndjekje të tyre, për ti ndaluar. Policia ka bërë të ditur pasditen e djeshme se, makina më targa të Tiranës, në të cilën udhëtonin disa të rinj është vënë në ndjekje nga policia për shkak se në të udhëtonin 2 persona të identifikuar si grabitësit e shtetasve malazezë në Lezhë. Policia ka tentuar të ndalojë makinën në një postbllok, por të rinjtë nuk i janë përgjigjur thirrjes duke përplasur motorrin e njërit prej efektivëve të policisë. Për pasojë ka mbetur i plagosur polici 40-vjeçar, Dritan Loreci i cili është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal. Më pas policia ka ndjekur makinën nga Lezha deri në fshatin Balldre, ku ka ndodhur edhe një shkëmbim zjarri mes policisë dhe të rinjve. Personat e kerkuar kanë braktisur mjetin në thellësi të fshatit ndërsa brenda makinës është gjetur i vdekur një 16-vjeçar, me iniciale A. S.
Përplasja me armë
Policia ka mundur të bllokojë makinën ku udhëtonin të rinjtë në Balldre. Aty ka pasur një përplasje me armë, mes uniformave blu dhe personave që ndodheshin në makinën që ishte në ndjekje. Të shtëna të shumta armësh kanë terrorizuar banorët e zonës të cilët ishin dëshmitarë të një shkëmbimi zjarri mes policisë dhe disa personave të kërkuar për grabitjen e shtetasve malazezë disa ditë më parë. Forca të shumta policie janë mbedhur menjëherë në fshatin Balldre ndërsa kanë nisur aksionet për kapjen e të rinjve. Pak ditë më parë, tre shtetas malazezë kanë qenë viktima të një grabitje me maska në një lokal në hyrje të autostradës Lezhë-Shkodër. Persona të maskuar i kanë grabitur atyre rreth 20 mijë dollarë, dokumentat amerikane që dispononin, si dhe makinën me të cilën udhëtonin.

19 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›