E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurt, Kuvend ; Topalli: Do të vijojë lobimi për Kosovën

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është takuar ditën e djeshme me një delegacion, grup deputetësh nga Kuvendi i Kosovës, nga ku ka deklaruar se shteti shqiptar do të vazhdojë lobimin e tij për njohjen e mëtejshme ndërkombëtare për Kosovën, si dhe anëtarësimin e saj në strukturat ndërkombëtare. “Në Bruksel, pata kënaqësinë të shihja në takimin parlamentar të Ballkanit Perëndimor, edhe Kryetarin e Parlamentit të Kosovës dhe ky është një fakt shumë domethënës në perspektivën evropiane të Kosovës. Institucionet e Shqipërisë, ashtu si deri më tani, do të vijojnë lobimin, jo vetëm për njohjen e shtetit të Kosovës, por edhe për pjesëmarrjen e saj në struktura ndërkombëtare, siç është edhe Këshilli i Evropës”, - tha Topalli në këtë takim. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës tashmë janë në një stad të ri dhe pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës si dhe bashkëpunimi institucional do të jetë edhe më i fortë. “Është kënaqësi për mua t’ju pres në këtë vizitë të parë tuajën në Shqipëri. Dy shtetet tona tashmë duhet të rrisin nivelin dhe ritmin e shkëmbimeve politike dhe ekonomike, pasi raportet tona janë të një natyre shumë të veçantë”, - tha Topalli. “Ju jemi shumë mirënjohës juve dhe institucioneve të Shqipërisë”, - u shprehën deputetët e Kosovës, për të gjithë mbështetjen e dhënë si në rrugën drejt pavarësisë ashtu edhe për njohjen e saj nga vendet e tjera. Kryetarja e Kuvendit i njohu deputetët e Kosovës edhe me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, si edhe me ndryshimet konsensuale të Kushtetutës, të cilat, siç u shpreh ajo, do t’i japin vendit një stabilitet politik dhe institucional.

Mosprania e Ukës shtyn diskutimin për titujt e pronësisë

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka shtyrë përsëri ditën e djeshme diskutimin për projektligjin “Për verifikimin e titujve të pronësisë të tokës bujqësore”. Ministri i Bujqësisë Jemin Gjana u paraqit ditën e djeshme në Komision për të diskutuar këtë projektligj, i cili ka tri herë rresht që shtyhet për votim nga Kuvendi. Mungesa e djeshme e deputetit Rexhep Uka ka detyruar komisionin që të shtyjë diskutimin për ditën e sotme. Deputeti Uka konsiderohet ekspert i mirë në çështjen e bujqësisë si dhe të mënyrës së ndarjes së tokës bujqësore gjatë viteve të tranzicionit. Mungesa e tij ka bërë që deputetët e tjerë të pranishëm të mos marrin fare në konsideratë qoftë edhe një mundësi për diskutimin e këtij projektligji. Ministri Gjana është detyruar që të largohet nga komisioni për t’u rikthyer përsëri ditën e sotme, ku mendohet se do të jetë i pranishëm deputeti Rexhep Uka.

Votimi në Kuvend, bie mocioni për Topallin

Votimi i djeshëm në Kuvend për heqjen e imuniteti të ish-ministrit Fatmir Mediu, rrëzon në mënyrë automatike idenë e PS-së për një mocion shkarkimi ndaj Kryetares së Kuvendit. Dy arsyet përse socialistët kërcënuan me mocion ishin pikërisht çështja e imunitetit të Mediut dhe ajo e dekreteve, të cilat Kryetarja iu dha përgjigje në një seancë të vetme. Por, socialistët asnjëherë nuk e kanë pasur seriozisht që të bënin një hap të tillë. Kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një formë presioni që Kuvendi të vepronte sa më shpejt ndaj këtyre dy çështjeve. Ndërkohë që Partia Socialiste ka ngritur që prej dy javësh një grup pune që do të shqyrtonte veprimet apo mosveprimet e Kryetares së Kuvendit lidhur me imunitetin e Mediut dhe me dekretet e Presidentit. Edhe pse kanë kaluar plot dy javë që ky grup është ngritur, nuk ka asnjë lloj përgjigjeje për mocionin. Nga ana tjetër, socialistët nuk e kanë përmendur më mundësinë e mocionit duke kërkuar zgjidhje të tjera që ta duronte Kryetaren e Kuvendit që të vepronte sa më shpejt për këto dy çështje. Nëse socialistet do të hidhnin hapa konkrete për mocionin, ky do të shënonte mocionin e tretë për Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Por janë pikërisht dy rezultatet e para çka i kanë bindur krerët e PS-së se do të ishte një nismë dhe harxhim kohe e kotë. Mocioni i parë ndaj Kryetares së Kuvendit u bë në shkurt të 2006-ës. Kërkesa u fut në rendin e ditës dhe u rrëzua me shumicë votash. Pak muaj më vonë, pati sërish një kërkesë për mocion, por këtë herë ajo me votat e mazhorancës nuk u lejua të hynte fare në rend dite.

PS-ja, letër përfaqësive diplomatike për dekretet

Pak orë para se Kuvendi të merrte në shqyrtim votimin për dekretet e Presidentit Bamir Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë, grupi parlamentar i PS-së i ka dërguar një letër ku shpreh shqetësimin e tij lidhur me këtë çështje tri përfaqësive diplomatike në vendin tonë, ambasadorit amerikan Withers, ambasadorit të KE-së Helmuth Lohan, si dhe ambasadores franceze, Marise Daviet. Burime nga grupi parlamentar konfirmuan dje se në letër kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, shprehej e shqetësuar për çështjen e dekreteve të Presidentit si dhe bllokimin e punës së Gjykatës së Lartë për shkak të vonesave të krijuara nga Kuvendi. Partia Socialiste është shprehur në mbështetje të Presidentit të Republikës, duke kundërshtuar procedurat e Kuvendit që janë ndjekur për këtë çështje. Gjatë debatit të ditëve të fundit për dekretet, PS-ja ka kërkuar që Kuvendi të hedhë në votim kandidaturat për anëtarët e Gjykatës. Por duke qenë se mazhoranca ka shprehur rezerva ndaj këtyre kandidaturave, debati ka shkuar në përplasje mjaft të forta pozitë-opozitë. Në seancën e ditës së enjte PS-ja deklaroi se nuk do të ishte e pranishme në Kuvend derisa të votoheshin dekretet. Edhe pse ishte paralajmëruar se dekretet e Presidentit do të shkonin në seancën e ditës së enjte, një mbledhje urgjente e Konferencës së Kryetarëve bëri që ky votim të bëhej gjatë seancës së djeshme.

LSI-ja: Vota e emigrantëve, ndëshkim për PD-në e PS-në

Lëvizja Socialiste për Integrim i është rikthyer dje kërkesës për garantimin e së drejtës së emigrantëve për të votuar. Kryetari i KDK-së deklaroi dje se dy partitë e mëdha nuk e morën në konsideratë këtë çështje kur u bënë ndryshimet kushtetuese, sepse kanë frikë nga ndëshkimi i votës së tyre. “PD-ja e PS-ja, që realizuan ndryshimet kushtetuese për sistemin e ri zgjedhor, nuk e kanë marrë fare në konsideratë këtë çështje, kryesisht pasi ndiejnë se kanë shumë borxhe ndaj emigracionit dhe se vota e emigrantëve do të jetë ndëshkim elektoral për të”, - tha Haxhinasto. Sipas tij, ka shumë detyrime të parealizuara, që kanë të bëjnë jo vetëm me të drejtën e votës, por edhe me një sërë problemesh jetike të tyre, si njohja e kontributeve të sigurimeve, e drejta e shkollimit dhe gjuhës amtare, shërbimet dinjitoze konsullore, e shumë të tjera. “Realizimi i të drejtës së votës për emigrantët është një çështje që duhet realizuar me domosdoshmëri, por jo me retorikë boshë. Emigrantët nuk kanë nevojë për demagogji, por për vullnet politik dhe veprime konkrete për të realizuar detyrimet ndaj tyre”, - deklaroi kreu i KDK-së.

Meta: Legalizimet, demagogji e qeverisë

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, zhvilloi pasditen e djeshme një takim me banorët e zonës së ish-Kënetës në Durrës. Gjatë takimit u diskutua gjerësisht mbi problemet e shumta që shqetësojnë këta të fundit. Problemet e legalizimeve, mungesa e ujit të pijshëm, si dhe faturat e larta të energjisë elektrike ishin temat kryesore të këtij takimi. Meta tha se shpërndarja e tapive të pronësisë në javën e fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore, ishte vetëm një demagogji nga ana e qeverisë. Sepse nuk besoj, - tha Meta - se ka ndonjë banor këtu në zonën e ish-Kënetës, që ka marrë dokumentin e legalizimit të shtëpisë. “Ju të gjithë e dini shumë mirë që Berisha, kur u bë ligji në 2006-ën premtoi se brenda 6 muajve do të shpërndante dokumentet e reja të pronësisë, bazuar në këtë ligj për legalizimet, sepse shumë prej jush me të drejtë keni këtë problem madhor të legalizimeve dhe i gjithë ky proces u shndërrua në plotësime formularësh që kanë përfunduar në zyrat e ALUIZNI-t, por që nuk janë kthyer në tituj pronësie për të gjitha ata që kanë shpresuar”, - u shpreh Meta.

Rama fton Berishën të marrë pjesë në përurimet e shkollave

Rinisin replikat mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Rama, dhe Kryeministrit Berisha. Kryebashkiaku, gjatë përurimit të një shkolle në kryeqytet, ftoi Kryeministrin Berisha që të marrë pjesë në këto përurime që të shohë nga afër se çfarë përmirësimi është bërë në shkollat e kryeqytetit. “Duke qenë se Kryeministri ngeli rrugëve dhe nuk po inauguron dot asgjë, sepse asnjë punë nuk ka mbaruar dot, unë e ftoj që të vijë dhe të marrë pjesë në inaugurimin e shkollës tjetër, pas këtij inaugurimi, që i jep Tiranës një tjetër shkollë dhe u jep prindërve të Tiranës dhe prindërve të të gjithë Shqipërisë garancinë për standardin e shkollave që përmban vizioni ynë i ri për Shqipërinë evropiane, që fillon nga shkollat evropiane, që fillon nga edukimi evropian i fëmijëve tanë, që fillon nga shoqëria evropiane mes fëmijëve të Shqipërisë, qofshin autoktonë apo të ardhur, qofshin nga veriu apo nga jugu, sepse kjo është shoqëria e re shqiptare”, - deklaroi kreu i PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›