Qeveria nxjerr në shitje aksionet e AMC
Qeveria ka nxjerrë zyrtarisht në shitje pjesën e aksioneve që zotëron te shoqëria e telefonisë së lëvizshme, AMC. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, shpalli tenderin për përzgjedhjen e konsulentit që do të asistojë shtetin shqiptar në privatizimin e paketës së aksioneve shtetërore të shoqërisë AMC. Qeveria zotëron 12.5 për qind të aksioneve në këtë shoqëri, që rezulton të jetë një nga më fitimprurëset në vend. Fondi limit i përcaktuar për asistencën e konsulentit është 25 milionë lekë. Firma fituese do të ketë 4 muaj kohë në dispozicion për të përgatitur raportin së bashku me sugjerimet përkatëse për procedurat dhe vlerën e shitjes të paketës së aksioneve. Tenderi për përzgjedhjen e konsulentit do të zhvillohet në datën 16 të këtij muaji në Ministrinë e Ekonomisë. Në vitin 2006 të ardhurat e shoqërisë ishin 151 milionë euro.