Qeveria, strategji të re për zhvillim dhe integrim
Qeveria nis procesin e hartimit të strategjisë së re të zhvillimit të vendit për periudhën 2012-2020. Në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, kryeministri tha se tashmë pjesë e strategjisë së zhvillimit do të jetë edhe plani i ri i veprimit për integrimin në Bashkimin Europian, i hartuar nga Ministria e Integrimit në bashkëpunim me palët politike në Kuvend. Sipas kryeministrit, plani i ri i zhvillimit ka si prioritet integrimin e vendit në Bashkimin Europian, përmes arritjes së standardit të jetesës të këtij komuniteti. Sipas kreut të ekzekutivit, strategjia e re do të konsultohet gjerësisht me grupet e interesit, akademikë dhe me të gjitha institucionet para se të miratohet. Berisha tha se prioritetet kryesore të Planit të Zhvillimit do të jenë dija, mjedisi dhe teknologjia, për të cilat do të ketë edhe një orientim më të madh të reformave. Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim përfaqëson një dokument strategjik themelor të vendit, që bashkon në një dokument të vetëm strategjik perspektivën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror me integrimin e vendit në strukturat e Bashkimit Europian.