E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohen kuotat, 6145 studentë do pranohen në part-time

 

zirina llambro

Plot 6145 studentë do të pranohen këtë vit akademik në sistemin part-time. Qeveria miratoi dje kuotat dhe tarifat e ndjekjes së këtij cikli studimesh. Të drejtën për të kandiduar për këto kuota, sipas vendimit të djeshëm, do ta ketë çdo shtetas që ka përfunduar shkollën e mesme dhe zotëron dëftesë pjekurie apo një diplomë tjetër studimi, të fituar brenda ose jashtë vendit, ekuivalente me të. Për ciklin e parë të studimeve, me kohë të pjesshme, janë 5905 vende në fakultete. Gjithashtu janë përcaktuar edhe kuotat për ndjekjen e studimeve në distancë që do të jenë 40, ato për transferim studimesh  si dhe të trojeve, secila përkatësisht nga 100 vende. Sa i përket shpërndarjes së këtyre të fundit, kriteret përzgjedhëse do të vendosen nga vetë institucionet e Arsimit të Lartë. Sa i përket tarifave të shkollimit, të cilat për disa degë kanë pësuar rritje, ato do të paguhen të ndara në këste vjetore, në përputhje me kreditet e lëndëve, që do të frekuentojnë në çdo vit akademik. Studenti i nënshtrohet tarifës së shkollimit për një lëndë sa herë e frekuenton atë. “Përjashtohen nga tarifa e shkollimit kandidatët, të cilët fitojnë të drejtën për të studiuar në një program studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, si program i parë studimi në institucionet publike të Arsimit të Lartë, që u përkasin këtyre shtresave shoqërore, si të verbërit, të shurdhët, invalidët, paraplegjikë e tetraplegjikë, kryefamiljaret (gratë) me fëmijë, kandidatët, që vijnë nga familje, të cilat trajtohen me ndihmë sociale, si dhe fëmijët, që gëzojnë statusin ligjor të jetimit”, thuhet në vendim. Gjithashtu studentët e shkëlqyer nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin pasardhës. “Shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe shtetasit e tjerë të huaj, që do të vazhdojnë studimet në një program studimi, me kohë të pjesshme, në institucionet publike të Arsimit të Lartë, i nënshtrohen së njëjtës tarifë shkollimi si shtetasit shqiptarë, me përjashtim të rasteve kur me marrëveshje zyrtare, shtetërore, janë përcaktuar mënyra të tjera për tarifat”, saktëson vendimi. Pas vendosjes së afateve nga Ministria e Arsimit kandidatët e interesuar fillimisht duhet të paraqesin pranë çdo fakulteti dosjen e dokumenteve të kërkuara. Në bazë të dokumenteve që përmban dosja do të bëhet selektimi i personave fitues. Për të gjitha rastet kur fluksi i kërkesave do të jetë më i lartë sesa numri i kuotave të miratuara, do të përdoren kritere përzgjedhëse, siç është mesatarja. Megjithatë është vendosur që prioritet në këtë cikël studimesh do të kenë personat që nuk kanë arritur të sigurojnë një degë gjatë aplikimeve për sistemin e ditës. Për regjistrimin kandidati duhet të paraqesë përveç kërkesës për degën e caktuar edhe fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme apo fotokopje të noterizuar të diplomës së shkollës së lartë, si dhe fotokopje të noterizuar të listës së notave me fotografi, kur nuk kanë dëftesën dhe diplomën origjinale. Për kandidatët që kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë shtetit dëftesa e shkollës së mesme duhet të jetë e përkthyer në shqip dhe e noterizuar, e njohur dhe e ekuivalentuar nga degët e shkollave të larta.
 

Kuotat e part-time dhe doktoratat

Part-time, 6145 kuota të ndara në:
Pranime, në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme                                                                     5905 kuota                                                  

Pranime në programet e studimit të ciklit të parë, të edukimit në distancë,                                                            40 kuota                                                                               

Transferim studimesh,                                                                                         
100 kuota        

Për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe për shtetas të tjerë të huaj                                                                                      100 kuota

Programet e doktoraturës hapen në,
Universitetin Politeknik përkatësisht:
Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit për “Arkitekture urbanistike”
14 kuota
Tarifa 200 000 lekë

Universiteti i Durrësit përkatësisht :
Fakulteti i Ekonomisë dhe Administrimit për “Shkenca ekonomike”
30 kuota
Tarifa 200 000 lekë

 

Berisha: Privatët të hapin degë për telekomunikacion

Këshilli i Ministrave  miratoi dje vendimin për dhënien e bursave për nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Peter Maringer”. Duke u ndalur te ky vendim Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë shkollë, si një nga më të mirat në llojin e saj në përgatitjen e specialistëve të teknologjisë së informacionit, si dhe kërkoi që universitetet private të inkurajohen për hapjen e degëve të teknologjisë së informacionit. “Peter Maringer” është një shkollë austriake nga më të mirat që funksionon në Shkodër. Përgatit IT dhe është një nga shkollat më të mira jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Përpjekjet tona zoti Ministër duhet të jenë që ne të zgjerojmë sa të jetë e mundur më shumë këtë shkollë, të hapim po të jetë e mundur dhe shkolla analoge si kjo. Sikundër të inkurajohen universitete private për të hapur degët e IT.”tha Berisha. Sipas tij, ka pasur një hezitim nga autoritetet qeveritare për t’i licencuar ato. “Është jashtëzakonisht e domosdoshme të licencojmë sa më shpejt degë të IT në universitet private”, nënvizoi Kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›