E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, penalizime për personat pa karta dhe pasaportë

Qeveria pritet të miratojë së shpejti një vendim për të nxjerrë jashtë përdorimit pasaportat e kuqe. Zëvendësimi i dokumenteve të vjetra të identifikimit me pasaportat biometrike pritet të miratohet me vendim qeverie, pas të cilit do të fshihen penalizime për atë kategori e cila nuk pajiset me dokumentin e ri. Personat pa kartë identiteti dhe pa pasaportën e re nuk do të përfitojnë shërbimet publike. Qytetarët shqiptarë duhet të jenë të pajisur me një nga këto dy dokumente të reja për t‘u njohur dhe identifikuar nga institucionet shtetërore. Një dëshmi penaliteti, e cila sot tërhiqet në postën shqiptare, nuk do të mund të tërhiqet me fotokopjen e pasaportës së vjetër, por vetëm me kopjen e pasaportës së re, ose kartës së identitetit.

Qëndrimi i ministrisë

Ministria e Brendshme ka përgatitur projektligjin e ri që do të kufizojë afatet e vlefshmërisë së pasaportave aktuale. Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, bëri me dije dje se ritmet aktuale të aplikimeve për pasaportën biometrike janë të kënaqshme dhe theksoi se Ministria e Brendshme ka gati një projektligj që mund t‘i kalojë qeverisë për miratim. "Besoj se do ta nxjerrim vendimin për pasaportat së shpejti. Vendimi është i shkruar nga ministria, por i takon qeverisë shqiptare ta vlerësojë oportunitetin se kur duhet të dalë vendimi, por qytetarët duhet ta dinë që është më e mirë kjo pasaportë dhe shumë mirë ta kenë atë, dhe baza jonë e të dhënave ia ofron të gjitha mundësitë, për të kontrolluar përveçse pasaporta kontrollohet dhe vetë nga sistemi", tha Poni. Sipas zv/ministrit të Brendshëm, pasaporta dhe karta e identitetit janë dokumente që verifikohen me vetveten, në kuptimin e disa parametrave të kontrollit, standarde të nivelit të parë, të nivelit të dytë e të tretë. "Por pastaj, nëse do duhet të kontrollohet me qendrën tonë të personalizimit që është një qendër supermoderne. Pra ato janë dokumente shumë të sigurta për qytetarët shqiptarë", thotë Ferdinand Poni.

Sipas Ponit, nëse deri në fund të vitit të ardhshëm mbi 1 milion shtetas shqiptarë nuk do të jenë të pajisur me pasaportën e re, atëherë qeveria do të marrë masa për përmbushjen e këtij detyrimi. Dokumentet biometrike të identifikimit të shtetasve shqiptarë kanë elementet më të lartë të sigurisë dhe përmbajnë informacionin e domosdoshëm për identifikim edhe nga autoritetet e vendeve të huaja.

Penalizimet

Qytetarët të cilët kanë 2-3 vjet që kanë në dorë pasaportën e kuqe, e cila ka qenë me afat dhjetëvjeçar, do të duhet të paguajnë 60 mijë lekë të vjetra për të marrë pasaportën e re 10 vjeçare. Pasaporta e vjetër do të dalë nga qarkullimi në janar të vitit 2011. Qytetarët, të cilët duan të përfitojnë nga shërbimet publike dhe nuk disponojnë dokumentin e ri biometrik, do të penalizohen dhe nuk do të munden të tërheqin qoftë një dëshmi të thjeshtë penaliteti, pa llogaritur më pas sanksionet që mund të vendosë qeveria deri në mosmarrjen e pagës mujore në bankë.

Sistemi

Aplikimi për biometriken nxjerr

nga përdorimi pasaportën e vjetër

Urdhri i Ministrisë së Brendshme për tërheqjen e pasaportave të reja biometrike pritet të sfumojë funksionin e pasaportës së kuqe, e cila do të dalë nga qarkullimi më 1 janar 2011. Drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, bëri me dije se

vizat në pasaportat e vjetra pas datës 1 janar 2011 nuk do të jenë më të vlefshme. Ministria e Brendshme shikon si mënyrë të vetme për t‘i dhënë zgjidhje kësaj situate kalimin e vizës së vjetër në pasaportën e re. Por qeveria shqiptare nuk ka një përgjigje sesa të disponueshme do të jenë ambasadat për të bërë kalimin e vizës nga pasaporta e vjetër në pasaportën e re. Teliti ka sqaruar se në momentin e aplikimit të pasaportës së re biometrike, pasaporta e vjetër del nga sistemi dhe ato nuk konsiderohen më të vlefshme. Pra, nëse një qytetar disponon një vizë në pasaportën e vjetër dhe nëse aplikon për dokumentin e ri biometrik, pasaporta e tij e vjetër konsiderohet e pavlefshme dhe si pasojë të njëjtin fat do të ketë edhe viza që ky qytetar disponon në këtë pasaportë. Vetëm ambasadat kanë të drejtën për të dhënë ose jo të njëjtën vizë nga e para. Deri tani, e vetmja zgjidhje nga qeveria shqiptare është që viza e vjetër të fotokopjohet dhe t‘i bashkëngjitet pasaportës së re dhe si rrjedhim të dyja të dërgohen në ambasadë nga vet personat e interesuar për të rimarrë vizën në pasaportën e re. Pra, zgjidhja mbetet vetëm në dorën e ambasadave sesa të gatshme do të tregohen ato për të përmbushur këtë mision të palës shqiptare. Pasaportat e vjetra dalin nga përdorimi më 1 janar 2011.

Aplikimet

Shtohen kërkesat për pasaportat,

ngec puna me kartat

"Ngecin" shifrat për qytetarët që aplikojnë për kartën e identitetit dhe shtohen numrat për tërheqjen e pasaportave biometrike. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, numri i kartave të identitetit të shpërndara nuk i kalon 1.4 milionë, shifër pothuajse e njëjtë kjo me atë të përpara zgjedhjeve të 28 qershorit, ndërsa numri i aplikimeve për pasaportat e reja shkon në mbi 80 mijë raste. Brenda një dite, afërisht aplikojnë rreth 2 mijë persona për të marrë pasaportën e re. Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile bëjnë me dije se deri tani, numri i qytetarëve të cilët kanë aplikuar për pasaportat biometrike, ka shkuar në 80 mijë.

Pasaportat e reja janë kushti thelbësor që duhet të plotësojë Shqipëria për të përfituar nga liberalizimi i vizave. Ato janë të pajisura me një sistem të lartë sigurie dhe zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme pohojnë se ato janë pothuajse të pamundura për t‘u falsifikuar. Te pasaportat biometrike në brendësi të saj ka një fotografi dixhitale që është e gdhendur në laserin ingrey. Faqet e vizave kanë elemente të tjerë sigurie, kanë shënime që lexohen nëpërmjet rrezeve ultravioletë, kanë gjithashtu uotermarkun, që është një portret i Skënderbeut, që është i vizatuar në brendësi të shqiponjës. Ka një shirit sigurie në çdo fletë, që është shënuar në mikrotekst Republika e Shqipërisë me dy ngjyra. Një ndër elementet e tjerë është kinograma, e cila është e stilizuar me një shqiponjë, që po ta shikosh në kënde të ndryshme, ka një valëzim të krahëve në krahun e majtë dhe në sfondin e këtij fluturimi të shqiponjës ne kemi siluetat reale të tre maleve të Shqipërisë, të Korabit, Tomorit dhe Dajtit që janë të inkuadruar në këtë element tjetër sigurie të rëndësishëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›