E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi i fundit, jo të gjithë gardianët do të mbajnë armë



Qeveria ka vendosur që jo të gjithë punonjësit e Policisë së Burgjeve të pajisen me armatim personal (brezi). Vendimi më i fundit ka përcaktuar vetëm disa kategori që do të mbajnë armë.
Sipas këtij vendimi, strukturat e Policisë së Burgjeve, që autorizohen të përdorin armët e parashikuara në Aneksin nr. 1, të këtij vendimi, janë strukturat që kryejnë: sigurimin e ruajtjes perimetrike në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe objektet e tjera, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë; sigurimin e ruajtjes perimetrike, në raste të jashtëzakonshme, të fatkeqësive e të fenomeneve natyrore, me synim sigurimin e jetës e të shëndetit të personave të paraburgosur apo të burgosur. Armë do të kenë ata gardianë që merren me transferimin dhe shoqërimin e të burgosurve e të të paraburgosurve, për sigurimin e ruajtjes fizike, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale penale, gjatë transferimeve, lëvizjeve jashtë institucionit dhe në rastet kur ata kanë leje për lëvizje jashtë institucionit. Gjithashtu me armatim do të pajisen edhe gardianët që iu lihet për detyrë të sigurojnë ruajtjen e të paraburgosurve dhe të burgosurve në spitale ose qendra të tjera mjekësore. Ndërsa punonjësit e Policisë së Burgjeve, që veprojnë në regjimin e brendshëm, në kontakt me të paraburgosurit apo të burgosurit, bëjnë dorëzimin e armatimit përpara futjes në regjim. Punonjësit e strukturave të Policisë së Burgjeve, që kryejnë detyrat e parashikuara në pikën 4, të këtij vendimi, i përdorin armët në përputhje me funksionet e tyre, veçanërisht në rastet që do të përmenden më poshtë. Kur personat e dënuar, të arrestuar a të ndaluar përpiqen të largohen nga vendet e kryerjes së dënimit, dhomat e paraburgimit ose vendet ku mbahen, për t’u shoqëruar më pas në institucione të tjera. Kur persona të ndryshëm përpiqen të lirojnë, me dhunë ose me armë, të dënuarit a të paraburgosurit nga vendet e kryerjes së dënimit, dhomat e paraburgimit, vendet ku mbahen, për t’u shoqëruar më pas në institucione të tjera. Kur punonjësit e Policisë së Burgjeve ose persona të tretë sulmohen me armë a mjete të tjera të rrezikshme për jetën dhe sulmi nuk mund të zmbrapset me mjete të tjera. Në raste të tjera kur vlerësohet se paraqesin rrezikshmëri të lartë për jetën dhe shëndetin e të burgosurve, të të paraburgosurve, punonjësve të Policisë së Burgjeve apo të personave të tjerë. Strukturat e Policisë së Burgjeve do të përdorin armët, që kanë në dispozicion, deri në çastin e miratimit nga ministri i Drejtësisë të normave të plotësimit me armatim e municion.

8 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›