E Diel, 1 Nëntor 2026

Rëndohet bilanci tragjik, 14 të vdekur nga aksidenti, Qeveria shpall nesër ditë zie kombëtare- Berisha viziton të plagosurit në spitalin Ushtarak

Berisha: Qeveria merr të gjitha masat të garantojë shëndetin e të aksidentuarve. Zv/drejtori i spitalit Ushtarak, Koçeku: 10 të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën


UPDATE- Kryeministri Sali Berisha viziton të plagosurit e aksidentit tragjik në spitalin Ushtarak në Tiranë. Shefi i ekzekutivit shprehu keqardhje për humbjen e jetëve njerëzore, ndërsa garantoi mbështetjen e qeverisë për shëndetin e udhëtarëve të aksidentuar nga rrëzimi i autobusit në aksin rrugor Fushë Arrëz- Rrëshen. Shefi i ekzekutivit informoi se pjesa dërrmuese e të plagosurve janë dërguar për në spitalin Ushtarak, ndërsa vetëm dy prej tyre, po kurohen në spitalin e Shkodrës. “Ka shumë të plagosur me trauma të shkallës së ndryshme. Janë marrë të gjitha masat që t’u jepet ndihma më e mirë e mundshme e të plagosurve. Me këtë rast dua t’u shpreh familjeve të viktimave, ngushëllimet më të sinqerta të qeverisë shqiptare, t’i siguroj se mbarë shqiptarët ndajnë sonte zinë e rëndë që ka pllakosur familjet e tyre. Lutemi së bashku për shëndetin e të plagosurve që ta kalojnë dhe të shërohen nga traumat, pasojat e saj, që ata kanë pësuar në këtë aksident. Të plagosurit ndodhen në spitalin Ushtarak. Një grup tjetër është nisur nga Rinasi, për të ardhur këtu. Dy të plagosur ndodhen në spitalin e Shkodrës”- u shpreh Kryeministri Berisha, duke shprehur edhe njëherë keqardhje për ngjarjen e rëndë, e cila deri më tani mendohet të marrë plot 11 jetë njerëzish.


Ngjarja


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur disa orë më parë në aksin rrugor Fushë Arrëz- Rrëshen, ku një autobus i nisur nga Tirana, ka dalë nga rruga duke përfunduar në humnerë. Deri në këto momente raportohen afro 6 të vdekur (shifër kjo e pakonfirmuar), midis të cilëve mendohet të ketë gra dhe fëmijë. Ende nuk dihen shkaqet e këtij aksidenti tragjik, ndërkohë që forca të shumta të Policisë ndodhen në vendngjarje, po ashtu dhe një numër i konsiderueshëm autoambulancash për transportimin në spital të të lënduarve bashkë me dy helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shëndetësisë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Dom të komunës Gjegjan, ku autobusi i nisur nga Tirana mësohet të ketë rënë nga rreth 500 metra lartësi, duke përfunduar në ujërat e lumit Fan i Madh. Menjëherë pas ngjarjes, Ministria e Brendshme me urdhër të ministrit Lulzim Basha ka ngritur një shtab emergjence për ngjarjen e rëndë. Në vendngjarje ka mbërritur zv/ministri i Brendshëm, Avenir Peka, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj dhe forca të shumta të RENEA-s.


Aktualisht në spitalin e Gjegjanit janë transportuar trupat e pajetë të shtetasve:


Arsen Marku, Paulin Gjoni, Mimoza Hasani, Adem Mustafa, Martin Lleshi, Alma Marku, Albiona Marku, Një i paidentifikuar


Ndërkohë në spitalin e Pukës janë transportuar trupat e pajetë të shtetasve:


Fran Paloka, Gjovalin Pera, Një i paidentifikuar


Policia e Shtetit: Aksidenti, nga kushtet e përkeqësuara të motit "Rreth orës 17.00’, të ditës së sotme, strukturat e Policisë së Shtetit kanë marrë njoftim se gjatë lëvizjes në aksin rrugor Fushë Arrës-Durrës, në fshatin Dom Gjegjan, ka dalë nga rruga një autobus me pasagjerë i linjës Fushë Arrës- Durrës, me targë Pu 13-30 A, me drejtues shtetasin Zef Mark Gjergji, vjeç 45, nga fshati Gojan, Komuna Gjegjan e rrethit të Pukës. Me të marrë informacionin me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Z. Lulzim Basha është ngritur shtabi i punës për menaxhimin e kësaj ngjarje të rëndë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë Forcat Renea, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, forcat e policisë së zonës, ndërkohë që janë dërguar dhe forca të tjera shtesë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër dhe Lezhë. Për transportimin e të dëmtuarave të kësaj ngjarje të rëndë janë vënë në dispozicion 6 helikopterë, 3 të Policisë së Shtetit, 2 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe 1 i Ministrisë së Mbrojtjes. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e daljes nga rruga të këtij mjeti kanë humbur jetën 12 persona, si dhe janë plagosur 12 shtetas të tjerë. Nga hetimet e deritanishme rezulton se drejtuesi i mjetit Zef Gjergji ishte i pajisur me leje drejtimi mjeti dhe ishte një drejtues mjeti me përvojë shumëvjeçare, ndërkohë që në kohën e udhëtimit kushtet e motit ishin përkeqësuar. Në spitalin Ushtarak humbi jetën dhe drejtuesi i mjetit Zef Gjergji. Po ashtu në spitalin Ushtarak në Tiranë janë transportuar 5 të plagosur, ku 1 fëmijë është jashtë rrezikut për jetën dhe 3 fëmijë të tjerë në gjendje të rëndë. Më pas në drejtim të këtij spitali u transportuan me helikopter dhe 7 të dëmtuar të tjerë nga ky aksident".


Sami Koçeku- Kirurg, zv/drejtor i spitalit Ushtarak: Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën “Të lënduarit nga aksidenti tragjik janë jashtë rrezikut për jetën”. Garancinë e dha sot në orët e vona të mbrëmjes zv/drejtori i spitalit Ushtarak, Kirurgu Sami Koçeku, duke deklaruar se 10 të plagosurit nuk kanë asnjë rrezik. Mjeku pranoi se gjendja e të lënduarve ishte e rëndë, por ndërhyrja e menjëhershme nga ana e mjekëve të spitalit Ushtarak, ka bërë që mjaft prej të plagosurve t’i shpëtojnë rrezikut për jetën. “Të plagosurit kanë dëmtime me fraktura, por përgjithësisht janë jashtë rrezikut për jetën. Ne shpresojmë që të gjithë këta që aktualisht janë gjallë, do të jetojnë dhe ne do të bëjmë të pamundurën për këtë”- u shpreh ai. Zv/drejtori i spitalit Ushtarak, Koçeku tha se stafi i mjekëve do t’u qëndrojë pranë në çdo moment të plagosurve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›