E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku te zbatimi

Pozita dhe opozita në Kosovë po vazhdojnë të japin interpretimet e tyre për marrëveshjet e arritura me Serbinë. Analistët vlerësojnë se thelbi i marrëveshjeve është te zbatimi i tyre. Naim Rashiti nga ICG’ja thotë se nëse ato nuk zbatohen shpejt, jeta e qytetarëve e të dy shteteve do të rëndohet edhe më shumë. Nga Faton Ismajli më 09 korrik 2011 në ora 08:37

Tri marrëveshjet e arritura në formë të konkluzioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel, po vazhdojnë të interpretohen nga pozita dhe opozita në forma krejt të kundërta.

Zyrtarët e Qeverisë në Prishtinë deklarojnë se qytetarët e të dyja vendeve janë fitimtarë të këtij procesi, derisa opozita vlerëson se marrëveshjet e kanë dëmtuar Shtetin.

Në Serbi, opozita vlerëson se Serbia e ka njohur Kosovën, derisa pushteti po e mbron idenë se marrëveshjet janë në të mirë të Beogradit.

Edhe analistë dhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare japin vlerësime të ndryshme për raundin e pestë të dialogut, ku palët u pajtuan për lëvizjen e lirë, kthimin e regjistrave civilë dhe njohjen e diplomave të Universitetit të Prishtinës.

Megjithëkëtë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare pajtohen se thelbi i marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve është të zbatimi i tyre në praktikë.

Analisti i Grupit Ndërkombëtarë të Krizave (ICG), Naim Rashiti thotë se, edhe pse marrëveshjet nuk kanë paragjykuar pozicionet politike të asnjërës palë, rreziku qëndron te zbatimi i tyre.

“Këto marrëveshje teknike nuk kanë ndryshuar fare pozicionet e asnjërës palë dhe duhet vullnet shumë i fuqishëm për të implementuar dhe zhvilluar në praktikë. Ka rrezik që të shkojnë gjërat keq”, ka parashikuar ai.

Ai jep shembull se si gjërat mund të komplikohen nëse palët nuk kanë vullnet politik për t`i implementuar në praktikë marrëveshjet.

“Për shembull, nëse Serbia vendos tarifë të lartë të polisës së sigurimit, qytetarët nuk do të udhëtojnë dhe e kundërta do të jetë që Kosova do ta aplikojë me të drejtë të njëjtën tarifë, e cila do të vështirësojë edhe më shumë komunikimin e njerëzve andej dhe këndej”.

Sipas tij, gjërat mund të ndryshojnë për të mirë nëse ka vullnet pozitiv nga palët dhe ka mbikëqyrje të rreptë nga BE’ja.

“Nëse këto marrëveshje janë si gjenerim i një vullneti të mirë të dy palëve, mund të funksionojë dhe të kemi një arritje pozitive nëse ka një implementim të shpejtë, të plotë dhe një monitorim të saktë të BE’së. E rëndësishme është që menjëherë të bëhen përgatitjet, të ndodhë implementimi, të vërehen efektet praktike për njerëzit.

Natyrisht, palët kanë të drejtë t`i ruajnë aspektet politike”, ka shtuar Rashiti.

Sipas vlerësimeve të tij, nëse marrëveshjet nuk sjellin efekt për njerëzit, atëherë do të vështirësojnë edhe më shumë komunikimin në mes dy vendeve.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në UP, Afrim Hoti konsideron se marrëveshjet Kosovë – Serbi nuk kanë sjellë ndonjë efekt spektakular, derisa sheh relaksim të raporteve mes dy palëve.

“Nuk shoh shumë përparim në këto marrëveshje, por megjithatë, marrëveshjet reflektojnë zgjidhjen më të mirë të mundshme mes palëve. Është gjetur një modalitet që të paktën qytetarët e të dyja vendeve të përfitojnë në këtë drejtim, siç është lëvizja e lirë e njerëzve nëpër të dyja shtetet, mandej njohja e diplomave dhe regjistrat civilë”, vlerëson Hoti.

Cilat janë të metat e “Konkluzioneve të Ndërmjetësuesit”?

“Nëse ka diçka negative, mund të jetë në tabelat e veturave, se për një moment na kthejnë pak prapa në kuptimin e përdorimit të tabelave neutrale të UNMIK’ut, në bazë të Rezolutës 1244, që deshëm apo s`deshëm, kjo rezolutë është në fuqi”, thotë Hoti.
Vlerësime aspak optimiste për implementimin, përmbajtjen dhe strukturën e marrëveshjeve shpreh profesori i Juridikut, Mazllum Baraliu.

“Jam shumë skeptik për rezultatet e kësaj marrëveshjeje dhe respektimin e kësaj nga pala tjetër, që është Serbia dhe serioziteti i qasjes nga BE’ja që ia imponon Serbisë zbatimin e të ashtuquajturave marrëveshje”, thotë ai.

Sipas Baraliut, rasti i pajtimit të Kosovës dhe Serbisë është i pashembullt në diplomaci, pasi marrëveshjet nuk përmbajnë as nënshkrimet e palëve.

“Si e tillë, është e papranueshme, e dëmshme, do të thotë të pretendimit të një marrëveshjeje, e cila ka prodhuar konkluzione të pashembullta, pa presedan në diplomacinë botërore, nuk mund të pritet ndonjë dobi e madhe. Mund të pritet vetëm degradim i pozitës juridike dhe diplomatike të Shtetit të Kosovës dhe mekanizmave të tij reprezentues”, ka thënë Baraliu, të premten, për Express.

Sipas tij, Kosova nuk është dashur në asnjë formë të pajtohet për çështje të caktuara pa e vënë nënshkrimin mbi dokument.

Por, Afrim Hoti konsideron se BE’ja e ka marrë procesin në dorë dhe ua ka imponuar palëve një zgjidhje të ndërmjetme.

“Në masën sa do të bëjë BE’ja presion në këtë pjesë të Europës, për aq masë do të kemi integrim të kësaj pjese në Bashkimin Europin”, ka shtuar Hoti.

Ndryshe, analisti politik, Shkëlzen Maliqi kërkon maturi si nga pozita, ashtu edhe nga opozita, në interpretimin e marrëveshjeve të arritura.

“Nuk duhet të jemi as shumë euforikë, e as tepër kritikë. Kur i sheh reagimet e pozitës dhe opozitës si në Serbi, si në Kosovë, janë të ngjashme. Nëse dëgjon çka thotë opozita e Serbisë, ata flasin sikur pozita jonë. Dhe e kundërta, pozita në Serbi flet sikur opozita në Kosovë. Mendoj se diku në mes është e vërteta”, ka thënë Maliqi për Express.
Ky analist konsideron se ky është vetëm fillimi i një procesi, ku duhet të zgjidhen edhe shumë probleme.

“Si çdo proces, si në luftë që ekziston beteja, dikush humb, e dikush fiton. Me rëndësi është procesi që do të na sjellë para qytetarëve. Rajoni duhet të stabilizohet dhe ky stabilizim mund të ndodhë pa njohjen e Kosovës”.

Ai pret që rezultati i këtyre tri marrëveshjeve të hapë rrugën për pajtime të reja ndërmjet dy palëve.

“Ky proces ka kuptim vetëm e vetëm nëse në fund të ditës nga Serbia njihet realiteti”, ka thënë ai.

Maliqi përsëri përmend veriun e Kosovës si rrezik i ardhshëm i bisedimeve të ardhshme ndërmjet dy shteteve.

“Ka rrezik të dhënies së një statusi special për pjesën veriore, që do ta dëmtonte tërësinë e Shtetit të Kosovës”, parashikon Maliqi.

Ndryshe, raundi i gjashtë i bisedimeve Kosovë – Serbi pritet të vazhdojë në fund të këtij muaji, ku janë paralajmëruar marrëveshje të reja ndërmjet dy shteteve me ndërmjetësim të BE’së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›