Transicioni drejt fundit
Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar të premten në Dubrovnik se përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse në Samitin e Kroacisë në Dubrovnik kanë kërkuar implementimin e marrëveshjeve Kosovë Serbi.
“Të gjithë diskutuesit e tjerë edhe kryeministrat e tjerë që diskutuan në këtë samit, gjithashtu edhe Sekretari i Shtetit, z. Burns e falënderuan Kosovën për punën që ka bërë, e kanë përshëndetur progresin e arritur në Kosovë. Kanë përshëndetur edhe procesin apo konkluzionet e nxjerra mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë për çështjet praktike që janë arritur në Bruksel dhe janë inkurajuar të dy shtetet për të implementuar këtë proces, sepse kjo normalizon dhe forcon shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Kryeministri në një intervistë për televizionin publik.
Sipas Thaçit, progresi në Kosovë është përshëndetur edhe nga Kryeministri i Rumanisë.
Kreu i Qeverisë ka komentuar edhe për transicionin në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke thënë se këtij procesi po i vjen fundi.
“Është me rëndësi që po hyjmë në një proces të finalizimit të transicionit të vendeve të rajonit, si parakusht i domosdoshëm për t’u integruar në BE. BE’ja do ta ketë Kroacinë si anëtar të ri dhe do të jetë me 28 vende dhe mesazhi për Kroacinë është mesazh i zgjerimit për të gjithë rajonin për t’u integruar në BE dhe e theksova edhe në fjalimin tim se BE’ja do të mund të kompletohet vetëm atëherë kur të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor integrohen në strukturat e BE’së”, ka thënë Thaçi, i cili në këtë samit ka mbajtur një fjalim.
“Kosova është duke luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe pozitiv në kuadër të normalizimit të raporteve me të gjitha vendet e rajonit, të fqinjësisë së mirë, të implementimit të standardeve demokratike, të qeverisjes së mirë, të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar e dukurive të tjera negative“, ka shtuar Thaçi.
Serbia ka vendosur ta bojkotojë edhe një takim ndërkombëtar për shkak të pranisë zyrtare të Kosovës.
Përfaqësuesit e shtetit serb, edhe pse të ftuar, nuk do të jenë pjesë e samitit dyditor në Kroaci, ku të pranishëm janë edhe kryeministra të shteteve anëtare të BE’së, rajonit dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian.
Në “Croatia Summit”, përveç Kryeministrit Hashim Thaçi, ka udhëtuar edhe Ministri Enver Hoxhaj, i cili të premten ka përfunduar një vizitë në Itali.
Thaçi kishte marrë pjesë në këtë samit edhe vitin e kaluar. Përfaqësuesit e Serbisë nuk kishin udhëtuar as vitin e kaluar atje.
Në Samitin e Kroacisë do të diskutohet për perspektivën e rajonit dhe zgjerimin e BE’së.
Ministria e Jashtme e Kroacisë ka njoftuar se përveç përfaqësuesve të Beogradit, pavarësisht ftesave, në Dubrovnik nuk do të marrin pjesë as përfaqësues të Bosnjës e Hercegovinës.
Aty, përveç Presidentit të Kroacisë, Ivo Josipovic dhe Kryeministres Jadranka Kosor, do të marrin pjesë edhe kryeministrat e Malit të Zi, Igor Luksic, Sllovenisë, Borut Pahor dhe ai i Maqedonisë, Nikola Gruevski.
Në samitin “Dekada e re për Evropën Juglindore –Përfundimi i transicionit”, të pranishëm do të jenë Kryeministri i Bullgarisë Boyko Borisov, Kryeministri i Belgjikës Yves Leterme, përfaqësues të Shqipërisë si dhe Komesari për Zgjerim i BE’së, Stefan Fule.
Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se në takim do të jetë edhe William Burns, zëvendëssekretar Shteti për çështje politike.
Burns pritet të mbajë një fjalim, ku do të nënvizohet progresi që është bërë në Europën Juglindore gjatë dy dekadave të fundit si dhe do të shprehë përkushtimin e SHBA’së ndaj rajonit.