Qeveria po pengon fondet në bashkitë socialiste
Qeveria shqiptare ndjek politika selektive në raport me pushtetin vendor. Kështu, Shoqata për Autonomi Vendore ka reaguar dje ndaj vendimit të fundit të ekzekutivit, që u ndalon bashkive më të mëdha në vend marrjen e investimeve nga donatorë strategjikë. “Shoqata për Autonomi Vendore i bën thirrje qeverisë që t’i japë fund bllokimit të qëllimshëm të investimeve në bashkitë e drejtuara nga opozita. Anëtarët e shoqatës janë më të vendosur se kurrë që të përdorin çdo mjet demokratik për ta frenuar këtë revansh politik të paprinciptë dhe antikushtetues...”, thuhet në deklaratën e shoqatës. Ajo i ka bërë jehonë një shqetësimi të ngritur nga Partia Socialiste e që lidhet me ndërhyrjet e qeverisë në mbarëvajtjen e punëve publike në njësitë vendore që drejtohen nga e majta. Përndryshe, ky shqetësim i Shoqatës për Autonomi vendore përkon më stinën e protestave të PS-së, e cila synon mobilizimin maksimal të qytetarëve kundër qeverisë “Berisha 2”.
#