Pas dhunës në familje, denoncon burrin për incest
Një grua nga Vaqarri ka denoncuar burrin e saj për incest në familje, duke e akuzuar se kishte dhunuar seksualisht vajzën, 10 vjeçe. Deklarata e rëndë e gruas 45-vjeçare ka ardhur pasi ajo ka marrë plagë të rënda nga keqtrajtimi i të shoqit dhe ka përfunduar në spital. Burimet policore bënë të ditur se fillimisht me këtë ngjarje, është marrë Komisariati nr. 6, por pas kësaj deklarate, çështja i ka kaluar seksionit kundër krimeve seksuale. Burimet policore bënë të ditur se dy net më parë, me plagë të shumta në trup dhe fytyrë, ka mbërritur në spital një 45-vjeçare nga Vaqarri. Menjëherë është njoftuar policia dhe ajo ka deklaruar se ishte keqtrajtuar nga i shoqi 50-vjeçar. Duke marrë këtë deklaratë, policia ka shoqëruar bashkëshortin, të cilin e ka marrë në pyetje. Nga ana tjetër, në pyetje është marrë edhe e dhunuara, e cila ka deklaruar se burri i saj pinte shpesh dhe e keqtrajtonte. Madje, ajo ka shtuar se ai kishte abuzuar seksualisht me vajzën e tyre 10-vjeçare. Menjëherë, shërbimet e policisë kanë kryer gjithë veprimet e duhura, por prokurori ka deklaruar se nuk kishte prova të mjaftueshme, kështu që 50-vjeçari është proceduar penalisht në gjendje të lirë, vetëm për dhunë në familje, ndërkohë që po përgatitet urdhri i mbrojtjes për 45-vjeçaren.
#