E Diel, 1 Nëntor 2026

E plagosura në spital: Nino na qëlloi për paratë e qirasë

Deklarata Rrëfehet Ariana Zela, gruaja e njërit prej shqiptarëve të vrarë në Itali

Gruaja e një prej shqiptarëve të vrarë në Itali pak ditë më parë ka dëshmuar dje nga spitali, ku ndodhet e shtruar për shkak të plagëve të marra. Ariana Zela ka treguar ngjarjen e shkaktuar nga Nino çerki, duke folur nga spitali “Papa Gjon Pali II”. “Ai donte të më vriste edhe mua, nuk e di si kam shpëtuar”, thotë Ariana. Sipas saj, pas një zënke me fjalë me dy shqiptarët, autori i krimit të trefishtë iku dhe më pas u kthye me një armë zjarri. “Për fat të mirë, fëmija im 5 muajsh ishte në gjumë dhe ai nuk është kujtuar ta qëllojë atë”, tregon e plagosura nga spitali ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. E plagosura Ariana Zela thotë se Nino çerki kishte shkuar për konflikte në banesën e shqiptarëve edhe katër herë të tjera, por pasi kishte marrë pagesat e qirasë, ngjarjet e rënda ishin parandaluar. “Atë ditë ai filloi të ulërinte, pastaj, papritmas u zhduk, menduam se ishte qetësuar, por pas dy minutash, u kthye, ishte i armatosur me një armë, hyri në shtëpi dhe filloi të shtënat: Kasem Memaj dhe Gazmend Peka vdiqën menjëherë dhe i goditi ata përsëri”, thotë gruaja. “Unë nuk e dija si të mbrohesha, u përpoqa për t’u fshehur, por nuk munda të shpëtoj. Kam parë vdekjen me sy dhe është një mrekulli që jam gjallë”, vazhdon gruaja e plagosur. “Ne nuk donim t’i bënim keq atij, vetëm i kërkuam të priste edhe disa ditë për qiranë, pasi nuk kishim mundësi të paguanim, ishim të papunë, pagesa iu vonua vetëm dy ditë”, ka rrëfyer ajo. Nino çerki, 69 vjeç, i cili u arrestua nga policia pas krimit, pranoi se kishte vrarë dy emigrantët shqiptarë. Ai nuk dha shpjegime mbi shkakun e krimit, por sipas policisë italiane, autori dhe viktimat kanë pasur një konflikt banal “fqinjësh”. Autori i vrasjes së dy shqiptarëve njihet si personazh kriminal në Sardenja. Pas mbylljes së hesapeve me drejtësinë, ai kishte hapur një dyqan mishi pranë vendbanimit të viktimave, Kasem Memaj dhe Gazmend Peka.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›