E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria po u kthehet politikave të 96- 97”

Autori i Lajmit: red.
Socialistët mbështesin deklaratat e ambasadorit amerikan, Xhon Uidhers, dhe thanë se i mbështesin argumentet e evidentuara prej tij. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, shpreh mbështetjen e plotë për deklaratën e ambasadorit amerikan, bërë në Prokurorinë e Përgjithshme. Leskaj tha se deklarata e Uidhers erdhi si vijim i mbështetjes që ai, si përfaqësues i shtetit amerikan, i bën demokracisë dhe institucioneve të pavarura në Shqipëri dhe në veçanti Prokurorisë, e cila është vënë rishtazi nën presionin e Qeverisë. Madje, ajo pohoi se politikat qeverisëse po kthehen si ato të vitit 1996-1997. “Shqetësimi i shprehur prej kohësh nga Partia Socialiste për tendencat uzurpuese të qeverisë ndaj institucioneve të pavarura, duket se është kthyer në alarm jo vetëm për opozitën, por dhe për komunitetin ndërkombëtar që monitoron zhvillimet politike në Shqipëri”, - tha ajo. Ajo shtoi se kjo situatë rëndohet më shumë kur edhe pas deklaratës së para dy ditëve të ambasadës amerikane që kritikon ndërhyrjen e ministrit të Drejtësisë dhe atij të Brendshëm në punët e Prokurorisë, pasuar nga ajo e ambasadorëve të BE për të njëjtën çështje, Qeveria dhe Kryeministri dolën me tezën uzurpuese të ngritjes së dy komisioneve hetimore, ndërkombëtar dhe një parlamentar për Prokurorinë. Për PS, ky qëndrim mospërfillës ndaj këshillave të ndërkombëtarëve çoi në reagimin e ambasadorit amerikan. Më tej Leskaj tha se Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste është kundër kërkesës për hetim ndërkombëtar të çështjes “Fazliç” dhe kërkesën për hetim parlamentar ndaj Prokurorisë, kur çështja është në proces. Sipas saj, një kërkesë e tillë dëshmon edhe një herë se Berisha është mosbesues ndaj institucioneve të pavarura në vend. Kjo, pohoi kryetarja e deputetëve socialistë, sjell probleme edhe për qytetarët, të cilët humbasin besimin në këto institucione.
Ky lajm është publikuar: 17/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›