E Diel, 1 Nëntor 2026

PE miraton Rezolutën: Integrimi Europian, në varësi të kapërcimit të krizës politike



Eljona Ballhysa

Parlamenti Europian miratoi dje në mesditë Rezolutën për proceset integruese të Shqipërisë në BE. Pasi u shty dy herë, më në fund, Rezoluta për Shqipërinë u miratua dje me 567 vota pro, 47 kundër dhe 19 abstenim. Nëpërmjet kësaj rezolute, Parlamenti Europian shpreh mbështetjen për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe për vazhdimin e rrugës drejt integrimit europian. Ndërkaq, europarlamentarët nënvizojnë domosdoshmërinë e zgjidhjes së krizës politike të pasuar që pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Sipas tyre, integrimi europian i Shqipërisë është në varësi të kapërcimit të krizës politike. Për këtë qëllim në Rezolutë janë parashtruar rrugët e kapërcimit të ngërçit politik. Në të shkruhet se opozita dhe maxhoranca duhet të punojnë për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar ku shumicën dhe drejtimin e tij ta ketë opozita. Më pas ky komision duhet të ketë si objekt hetimi shqyrtimin e materialit zgjedhor dhe mbi bazën e rezultatit të hetimeve duhet të hartohen me konsensus amendamentet për reformën e re zgjedhore që të garantojë transparencën e proceseve të ardhshme zgjedhore. Miratimi i Rezolutës u arrit pas një debati që u zhvillua një ditë më parë në Parlamentin Europian, ku u propozuan amendamente të tjera shtesë.
Seanca
Rezoluta e miratuar dje thekson se integrimi europian i vendit është në varësi të kapërcimit të krizës politike. “Qeveria dhe opozita shqiptare duhet të kuptojnë se kapërcimi i mosmarrëveshjeve aktuale është kyçe për progresin e vendit drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe për aspiratat e mëtejshme europiane të shqiptarëve. Përsëriten konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm se është momenti final për gjetjen e zgjidhjes ndaj krizës aktuale politike dhe është përgjegjësi e qeverisë shqiptare, së bashku me opozitën, për të gjetur siç duhet, në mënyrë transparente dhe në respekt të plotë me Kushtetutën shqiptare, zgjidhjet e nevojshme për rrugën e vendit drejt BE-së”, - parashikohet në Rezolutë. Rezoluta e Parlamentit Europian kërkon ngritjen e një komisioni hetimor, ku shumica dhe kryetari duhet të përcaktohen nga opozita. Ky komision do të hetojë zgjedhjet e vitit 2009. Në kompromis me eurodeputeten e djathtë Doris Pak, socialdemokratin Libor Ruçek, pranoi të që në amendament të parashikohet vetëm hetimi i materialeve zgjedhore nga ky komision hetimor.
Propozimi tjetër i së majtës europiane ishte kërkesa ndaj autoriteteve shqiptare për të zbatuar sa më shpejt me konsensus Rregulloren e Kuvendit, në mënyrë që të sigurohet transparencë për burimet financiare e administrative dhe të rriten kapacitetet mbikëqyrëse të Parlamentit.
Mbi liberalizimin e vizave, Rezoluta për Shqipërinë mirëpret mbështetjen që gëzon nga të gjitha partitë politike kjo nismë. “Mirëpritet mbështetja ndërpartiake për liberalizimin e vizave, shprehur në Rezolutën e Parlamentit shqiptar të 11 marsit 2010. Mirëpritet propozimi legjislativ i komisionit dhe i bëhet thirrje komisionit që të kontrollojë se kriteret e mbetura plotësohen në muajt e ardhshëm, me synim që Këshilli dhe Parlamenti të miratojë heqjen e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë në fund të 2010-s”, - shkruhet në Rezolutë. Socialdemokratët europianë gjithashtu kanë shprehur keqardhjen se maxhoranca parlamentare ka rrëzuar dekretet e Presidentit për postet vakante në institucionet kushtetuese, ndërsa kanë bërë thirrje për respektimin e pavarësisë së këtyre institucioneve.
Debati
Miratimi i Rezolutës erdhi pas një seance debati mes eurodeputetëve të majtë dhe të djathtë në Parlamentin Europian. Për më shumë se një orë europarlamentarët kanë hedhur propozime dhe kanë bërë sugjerime për tekstin përfundimtar të Rezolutës për Shqipërinë, herë-herë edhe duke debatuar me njëri-tjetrin. Komisioneri për Zgjerim, Shtefan Fyle, në nisje të debatit tha se klasa politike ka përgjegjësi për të realizuar ndryshimet e për të arritur mirëqeverisjen. “Rapori i z. Kauntis është i mirë dhe i balancuar mbi Shqipërinë. Ky është një moment kyç për Shqipërinë. Dua të ndaj me Parlamentin Europian shqetësimin mbi mungesën e dialogut politik konstruktiv. Mungesa e një platforme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike që pas zgjedhjeve të qershorit 2009 mes qeverisë dhe opozitës përbëjnë shqetësim për ne. Të dyja palët duhet t’i kthehen dialogut konstruktiv e të gjejnë zgjidhjen bazuar në Kushtetutë e në respekt të transparencës. Vërejtjet e OSBE/ODIHR-it duhet të adresohen përpara zgjedhjeve lokale të pranverës 2011. Vazhdimi i ngërçit politik lë në hije hapat e rëndësishëm për reformat që duhet të ndërmerren, të rëndësishme këto dhe për integrimin europian të vendit”, - tha në fjalën e tij komisioneri Fyle. Gjatë debatit, e majta dhe e djathta europiane cituan qëndrimet e partive simotra shqiptare, madje eurodeputetët replikuan për të bindur njëri-tjetrin. “Desha t’i them zotit Ruçek se është ngritur komisioni hetimor, socialistët kanë kryetarin dhe shumicën. Së dyti, Kodi Elektoral duhet ndryshuar, e kjo ndodh veç nëse socialistët bashkëpunojnë në Parlament. Ndaj duhet parë kjo sjellje, se ata po e bojkotojnë këtë”, - replikoi eurodeputetja e djathtë, Doris Pak. “Dua t’i them zonjës Pak se kjo sjellje nuk ndihmon aspak për zgjidhje. Me fjalimin tuaj, me mënyrën tuaj të reagimit, ju inkurajoni Berishën dhe partinë në pushtet për të hedhur poshtë çdo lloj marrëveshjeje me opozitën. Mendoj se kjo nuk është e përgjegjshme, ndaj ju bëj thirrje ju dhe grupimit tuaj politik që të ndryshoni tonin e të bashkëpunoni me ne në mënyrë që të gjejmë zgjidhjen e jo të inkurajoni Berishën për të vijuar mënyrën që ju e dini”, - reagoi eurodeputeti Kristian Vigenin.
I befasuar nga debati mbi Shqipërinë, komisioneri Fyle u bëri thirrje dy grupimeve të mëdha politike që të mos përçahen, por të vijojnë me frymën e konsensusit që t’i ndihmojnë ata që janë të pazotë të zgjidhin çështjet e tyre të brendshme.

Teuta Topi takon Sheri Bler, bisedojnë për aktivitete bamirësie

Zonja e Parë e Republikës së Shqipërisë, Teuta Topi, priti dje në një takim pune në Presidencë zonjën e ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, Sheri Bler, në kuadër të një vizite informale që ajo po zhvillon në Tiranë. Zonja e Parë Teuta Topi dhe zonja Bler kanë bashkëbiseduar përzemërsisht mbi aktivitete të ndryshme të bamirësisë e të ndihmesës për kategorinë e njerëzve në nevojë si dhe për problemet e grave në vendet e tyre. Zonja Topi e ka njohur zonjën Bler me situatën dhe vështirësitë që ndeshin gratë në zonat rurale në Shqipëri, si dhe me përpjekjet e tyre të përditshme mes angazhimeve të punës e familjes. Nga ana e saj, zonja Bler e përgëzoi zonjën Topi për kontributin e saj në këto aktivitete, të cilat janë në vazhdimësi të diskutimeve të tyre gjatë aktiviteteve të mëparshme të organizuara për këto çështje, si dhe e siguroi për bashkëpunime të frytshme në projekte konkrete në të ardhmen.

Berisha takon zonjën Bler, vlerësohet ndihma e dhënë

Kryeministri Berisha priti dje në një takim të ngrohtë e miqësor zonjën Sheri Bler, e cila ndodhet për një vizitë në Tiranë. Në krye të takimit, ku ishte e pranishme dhe zonja Liri Berisha, zonja Bler i përcolli kryeministrit Berisha përshëndetjet e ngrohta dhe miqësore të bashkëshortit të saj, zotit Toni Bler, ish-kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar. Kryeministri Berisha, nga ana e tij, e njohu zonjën Bler me reformat e qeverisë shqiptare në të gjitha fushat, duke u ndalur veçanërisht në zhvillimin ekonomik të vendit, krijimin e një klime sa më të favorshme për investimet e huaja në vend, luftën e vendosur kundër korrupsionit dhe krimit, forcimin e shtetit ligjor, zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, në kuadër dhe të plotësimit të kritereve dhe standardeve që çuan në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe që do të bëjnë të mundur realizimin e projekteve madhore për shqiptarët, liberalizimin e vizave me BE-në dhe integrimin në BE. Zonja Bler u shpreh se Shqipëria ka shënuar arritje të mëdha në vitet e fundit, duke theksuar se reformat e qeverisë shqiptare dhe progresi i Shqipërisë kanë qenë të jashtëzakonshme. Berisha shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar mbështetjen dhe përkrahjen për shoqërinë civile në punën e saj.

9 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›