E Diel, 1 Nëntor 2026

Memia: “20% ulje për personat që shlyejnë menjëherë pagesën për legalizimet

ALUIZNI i hap rrugën hipotekimit të 150 pallateve në kryeqytet. 300 milionë lekë të reja që i lëvrohen Bashkisë së Tiranës

Eljona Ballhysa
Agjencia e Legalizimeve ka shpërndarë dje lejen e legalizimit për 150 pallate me shtesa në Tiranë. Nga ky proces përfitojnë mbi 6 mijë familje që kanë blerë apartamente në këto pallate, të cilat ende nuk janë hipotekuar. Me marrjen e lejes së legalizimit i hapet rruga hipotekimit të apartamenteve. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia, bëri të ditur se nga ky proces deri tani 300 milionë lekë të reja i lëvrohen Bashkisë së Tiranës. Memia bëri të ditur se janë 120 pallate të tjera në Tiranë, dokumentacioni për të cilët ka përfunduar dhe pritet shlyerja e detyrimeve financiare për të marrë lejen e legalizimit. Memia gjithashtu bëri të ditur se ALUIZNI ka parashikuar një skemë financiare lehtësuese për personat që shlyejnë menjëherë detyrimet financiare. Për këta persona është parashikuar një ulje prej 20% e vlerës financiare që duhet të paguajnë. Ndërsa personat që nuk i kanë paratë mund të përfitojnë nga skema e kreditimit.
Lehtësimet
“Detyrimi financiar që kanë qytetarët për të paguar është detyrim që në raport me tregun është i papërfillshëm dhe është një vlerë relativisht e vogël, që shkon 400-600 mijë lekë. Njëkohësisht, për kalimin e pronësisë ose të parcelës ndërtimore në rastet kur e shlyen menjëherë do të ketë një bonus në masën 20% ulje. Ne kemi parashikuar në aktet ligjore edhe mundësinë e kreditimit dhe praktikisht jemi duke punuar me sistemin bankar dhe me kompanitë, të cilat ofrojnë kredi dhe besoj që gjatë këtyre ditëve ne do të konkretizojmë. Ne kemi nënshkruar memorandum bashkëpumi në këtë drejtim me këto banka dhe shpresojmë që shumë shpejt të konkretizojmë edhe kontratat e para të kreditimit për ato familje, të cilat nuk kanë kapacitete financiare”, - është shprehur Memia. Gjatë fjalës së tij duke vlerësuar punën e ALUIZNI-t, Memia ka shigjetuar bashkinë e Tiranës. “E rëndësishme është për t’u theksuar edhe një herë se Bashkia e Tiranës ka patur detyrime ligjore për të mbyllur procedurat dhe një vit e gjysmë kjo e fundit nuk ka arritur që të përfundojë procedurat ligjore qoftë dhe për një objekt të kësaj natyre. Ne arritëm që brenda një kohe të shkurtër të fusim në treg një pasuri gjigante dhe njëkohësisht stabilizojmë me institucionin e pronësisë 6200 familje të kryeqytetit”, - është shprehur drejtori i ALUIZNI-t.
Procesi
I pyetur nga gazetarët se kur do të përfundojë procesi i legalizimeve, Memia tha se ky proces është mbyllur dhe se pritet vetëm shlyerja e detyrimeve financiare nga individët e interesuar për të marrë tapinë e banesës informale. “Procesi është i mbyllur, por varet vetëm nga likuidimi financiar i qytetarëve. Që sot e tutje, kompania ose qytetari që ka objektin informal në momentin që shlyen detyrimin merr dokumentacionin dhe mund të vazhdojë me procedurat e regjistrimit të pasurive”, - është shprehur Memia. Përsa u përket 1700 ndërtimeve pa leje që nuk janë kualifikuar për të përfituar nga ligji i legalizimeve, Memia bëri të ditur se këto ndërtime do të prishen. “Ndërkohë ato pasuri që nuk plotësojnë kushtet dhe që përjashtohen nga legalizimi, do t’i nënshtrohen prishjes. Por me lëjoni te them se sa i takon këtij drejtimi do të jenë mekanizma të tjerë ligjorë që do të rregullojnë çështjet për raste të tilla”, - është shprehur Memia.

13 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›