E Diel, 1 Nëntor 2026

Shalsi: “Berisha po uzurpon kompetencat e pushtetit vendor”



Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, reagon një ditë pas vendimit të Komisionit të Ligjeve për draftin e ri për legalizimet që i heq kompetencat pushtetit vendor. Shalsi ka hedhur akuza kundrejt kryeministrit Berisha, duke u shprehur se Berisha po uzurpon kompetencat e pushtetit vendor. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese pak kohë më parë i shpalli si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Kartën Europiane të Autonomisë Vendore nenet e propozuara në ligj. “E pakonceptueshme dhe e paimagjinueshme për një shtet normal! Këmbëngulja e Berishës për të uzurpuar kompetencat e pushtetit vendor dhe për të bërë të plotfuqishëm antikushtetutshmërisht Shaban-tapinë, nuk është gjë tjetër veçse një tjetër rrugë pa krye në të cilën ecën kjo qeveri”, - deklaroi Shalsi. Nënkryetari theksoi se procesi i legalizimit duhet të ishte përfunduar prej kohësh dhe vonesat po pengojnë dhe bllokojnë procesin e legalizimeve. Drafti parashikon kalimin e kompetencave nga pushteti vendor te Agjencia e Legalizimeve në rast se zyrat e urbanistikës dhe këshillat e qarqeve nuk dorëzojnë brenda afateve dokumentet që vërtetojnë aplikimet për ndërtimet e paligjshme. Opozita e ka kundërshtuar këtë ndryshim në ligj, duke kujtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila, disa muaj më parë, hodhi poshtë kalimin e kompetencave nga vendorët te ALUIZNI për procesin e legalizimeve.

13 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›