E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria rrit rrogat e ulëta dhe të mesme

Berisha: Shtesa për mjekët me 11%, mësuesit me 6%, ushtarakët me 4%

Kryeministri Sali Berisha, në një mbledhje jashtë radhe të Këshillit të Ministrave, deklaroi shkurtimet e mëdha të buxhetit të këtij viti dhe rritjen e premtuar të pagave të ulëta e të mesme. Pasditen e djeshme, kreu i qeverisë saktësoi rritjen e pagave për çdo kategori, duke theksuar se mjekët dhe infermierët do të kishin rritjen më të lartë të pagave, që kulmonte me 11%. “Ne do të rrisim këtë vit pagat e mjekëve me 11%, do rriten rrogat e infermierëve me 9%, të mësuesve me 6%, ndërsa pagat e Forcave të Armatosura, nëpunësve, të prefekturave, të agjentëve të policisë për mbrojtjen nga zjarri, atyre të SHISH-it, të sistemit doganor, të shërbimit pyjor dhe të sistemit tatimor, do të rriten nga 4 deri 5.2%”, njoftoi Kryeministri në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë njoftoi se pagat e ulëta të çdo pozicioni do të kenë një rritje prej 10%, ndërsa këtë vit nuk do të përfitonin rritje pagat e larta në vend. “Rritja e programuar prej 2.5% për Presidentin dhe institucionet e lidhura me të, për Kryeministrin, ministrat dhe zëvendësministrat nuk do të miratohet. Do të bëjmë rritje të të gjitha rrogave të tjera, përveç të lartave”, deklaroi Berisha. Po kështu, kreu i qeverisë shtoi se uronte që kjo ngritje pagash të përshëndetej edhe nga ana e opozitës, sepse ishin ata vetë që e propozuan këtë rritje. Reflektimi që Kryeministri ka bërë për propozimin e opozitës, duket qartë edhe në faktin kur ai theksoi se rrogat e larta nuk do të rriten, një propozim i bërë pak ditë më parë edhe nga deputeti i PS-së, Erjon Braçe. Sipas Berishës, rritja e pagave dhe pensioneve vjen në një kohë kur në të gjithë Europën rrogat po ulen. “Ndonëse situatës së vështirë financiare për të gjithë botën, ne nuk kemi arsye të heqim dorë nga premtimi ynë. Të ardhurat e realizuara këtë 6-mujor prej 151 miliardë lekësh bëjnë të mundur rritjen e rrogave të administratës mbi bazën e këtyre të ardhurave dhe pa asnjë ndikim te borxhi”, deklaroi Berisha. Në lidhje me shkurtimet në buxhet, kreu i qeverisë theksoi se ato diktoheshin nga qëndrimi i prerë i qeverisë, për të mos lejuar rritjen e borxhit. “Ky vendim bëhet i domosdoshëm, jo se qeveria nuk mund të marrë borxh, por sepse borxhi publik përbën një rrezik për sektorin privat”, theksoi Berisha. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë ka theksuar se Shqipëria ka bërë progres të ndjeshëm në përmirësimin e klimës së biznesit, duke kaluar vendet e zhvilluara dhe ato të rajonit. Kreu i qeverisë theksoi vlerësimin që vendi ynë ka marrë nga OKB-ja. “Shqipëria tejkalon me 5 për qind vendet e zhvilluara dhe me 2 për qind vendet e rajonit. Ndërsa për të hapur një biznes Shqipëria arrin në 98 për qind. Vlerësimi i OKB-së përbën një ndër arritjet më madhore në vlerësimin e reformave tona në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit”, theksoi ai. Berisha e konsideroi këtë raport si mjaft inkurajues për klimën e biznesit në Shqipëri.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›