Qeveria, shpërblim për ata që tregojnë ku gjenden varret masive

Kryeministri flet për gjetjen e eshtrave
Zbulohen eshtra në Dajt, dërgohen në Morg
Tiranë, 8 Shkurt NOA - Qeveria do të vendosë
shpërblim për të gjithë ata që do të kontribuojnë me informacione, do të
paguajë të gjithë ata që ka dijeni për njerëz të ekzekutuar të cilët ende
konsiderohen të zhdukur.
Këtë e bëri të ditur para pak çastesh
kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë
Demokratike, mbledhje e cila po vazhdon.
Pohimi i shefit të qeverisë erdhi pak orë pasi
në zonën e malit të Dajtit, gërmimet rastësore të një banori vendas, çuan në
zbulimin e eshtrave të disa shtetasve që rezultoi se ishin vrarë me plumb pas
koke dhe ka dyshime të forta se janë viktima të pushkatimit nga regjimi
komunist.
Varri i përbashkët i zbuluar është një apel
për shoqërinë shqiptare, theksoi Berisha dhe shtoi: Nuk i ekzekutoi serbi dhe
as pushtuesi, por ata i ekzekutoi regjimi i Enver Hoxhës, ndaj dhe ne duhet ta
trajtojmë në mënyrë më serioze dhe më të vendosur këtë çështje, pasi në vendet
e tjera ish-komuniste është bërë shumë më tepër për gjetjen e varrezave, për
gjetjen e trupave.
Berisha shprehu keqardhjen për faktin se nuk
dihet ku prehen eshtrat e shumë njerëzve, intelektualë të cilët ekzekutoheshin
vetëm e vetëm që Shqipëria të mbahej nën terror.
e.r/NOA