Kryeministri flet për gjetjen e eshtrave në malin e Dajtit

Tiranë, 8 Shkurt NOA Kryeministri Sali
Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike e cila po
vazhdon, tha pak minuta më parë se në malin e Dajtit janë gjetur eshtrat e 19
personave që tha se janë viktima të regjimit komunist, të ekzekutuar në mënyrë
masive dhe më tej groposur në varr të përbashkët.
Nuk mund të them për kohën e ekzekutimit, por
e sigurt është se ata janë ekzekutuar me plumb pas koke, janë gjetur të gjitha kafkat me një vrimë plumbi,
deklaroi Berisha.
Ai tha se do të bëhet një analizë e
hollësishme dhe premtoi se do të bëhet identifikimi i eshtrave nëpërmjet ADN-së
dhe të gjitha analizave të tjera.
Ndërsa paralajmëroi se do të kërkohet
mbërritja e pajisjeve për të kryer kërkime të tjera për të gjetur eshtra
eventuale në zonën e Dajtit.
Sipas tij, ngritja e një task-force e cila të
mund të gjejë trupat e të rënëve për liri dhe dinjitet njerëzor, për besimin te
Zoti, besimin te vendi, besimin te vlerat, është i domosdoshëm.
Ai përmendi dhe faktin se merr shumë kërkesa
nga qytetarët që duan të dijnë fatin e njerëzve të zhdukur në periudhën e
regjimit komunist.
Në këtë pikë, Berisha përmendi ligjin e
Lustracionit që tha se në konflikt të plotë interesi u hodh poshtë, duke iu
referuar vendimi të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi ligjin e propozuar nga
qeveria dhe miratuar nga parlamenti për verifikimin e figurës së zyrtarëve të
ish-diktaturës komuniste.
Këtu Berisha foli dhe për nismën e
referendumit, duke vlerësuar se do të ishte një opsion i vlefshëm përkundër
rrëzimit të ligjit nga Kushtetuesja.
Po ashtu Berisha propozoi ngritjen e një
instituti, i cili synon të zbardhë të gjithë të vërtetën e barbarisë së
regjimit komunist.
Instituti ka gjithashtu të drejtën e dërgimit
në prokurorinë e vendit, të materialeve të cilat faktojnë krimet e rënda, por
nuk ka të drejtë as të ketë seksione prokurorie dhe as gjykate, - tha Berisha.
Varri i përbashkët i zbuluar është një apel për
shoqërinë shqiptare, theksoi Berisha dhe shtoi: Nuk i ekzekutoi serbi dhe as
pushtuesi, por ata i ekzekutoi regjimi i Enver Hoxhës, ndaj dhe ne duhet ta
trajtojmë në mënyrë më serioze dhe më të vendosur këtë çështje, pasi në vendet
e tjera ish-komuniste është bërë shumë më tepër për gjetjen e varrezave, për
gjetjen e trupave.
Këtu Berisha shprehu keqardhjen për faktin se
nuk dihet ku prehen eshtrat e shumë njerëzve, intelektualë të cilët
ekzekutoheshin vetëm e vetëm që Shqipëria të mbahej nën terror.
e.r/NOA