Ikin “Kallashnikovi” dhe “TT”-ja nga Policia e Shtetit
Luan Kondi
Tiranë - “AK-47”, ose siç quhet ndryshe “Kallashnikovi” dhe pistoleta TT do të zhduken përfundimisht nga policia shqiptare. Një projektvendim i qeverisë shqiptare do të hapë rrugën tashmë për futjen në organikën e forcave të rendit të armatimit perëndimor, i cili do të ketë edhe kosto, që llogaritet në miliona euro. Armët e luftës frontale, të prodhuara në vitet ‘70 në vendin tonë nga Uzina e Gramshit, nuk do të përdoren më, kjo pasi duhet të përafrohen standardet e policisë shqiptare me ato të vendeve europiane. Kallashnikovët do të zëvendësohen me armë automatike të blera nga vendet perëndimore. Llogariten rreth 15 mijë automatikë që mendohen të blihen me tender të hapur ndërkombëtar nga Ministria e Brendshme, pasi të shpallet tenderi. Propozimi për miratimin e llojeve të armatimit, lëndëve kimike dhe mjeteve të tjera që përdor Policia e Shtetit është bërë nga drejtori i Përgjithshëm, kryekomisar Ahmet Prençi dhe qeveria e ka parë të arsyeshme të paraqesë projektvendimin për kompletimin me këto armë dhe mjete të uniformave blu. Për të arritur deri këtu ka një korrespodencë të ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe atij të Drejtësisë, Enklelejd Alibeaj me kreun e Ministrisë së Brendshme.
Studimi
Studimin për zëvendësimin e pistoletave “TT”, ICITAP dhe PAMECA ka përfshirë edhe heqjen nga qarkullimi përfundimisht të automatikut “AK-47”. Kjo e fundit është një armë sulmi dhe e papërshtatshme për përdorim nga forcat e policisë. Specialistët shprehen se pistoleta “TT” nuk mund të përdoret nga policia pasi paraqet rrezikshmëri për komunitetin. Tokarev TT-33 është pistoleta e përdorur kryesisht në vendet e Lindjes gjatë Luftës së Ftohtë dhe pas saj. Ajo është prodhuar nga Feodor V. Tokarev. Por sipas disa specialistëve të armëve, ajo është një kopjim i modelit “Colt” të vitit 1902 me disa ndryshime, për ta bërë më të thjeshtë prodhimin. Masivisht kjo armë u përdor dhe u prodhua nga ish-Bashkimi Sovjetik, modeli “TT-30”. Më pas kjo armë u prodhua dhe nga Jugosllavia, M57, Kina TT-54, Hungaria Modeli 48 si dhe Egjipti. Specialistët e huaj mendojnë se Policia e Shtetit tashmë nuk është më forcë e armatosur dhe si rrjedhoje nuk mund të ketë në përdorim armë luftarake siç është pistoleta TT dhe AK-47, ose ndryshe kallashnikovi.
Armatimi
Automatiku më i famshëm në botë është prodhuar nga disa shtete të botës, mes të cilave edhe Shqipëria. Sipas statistikave llogariten të jenë prodhuar mbi 100 milionë kallashnikovë. Ai u krijua në vitin 1947 nga Mikahel Kallashnikov. Arma u bë e famshme për shkak të fuqisë së saj mjaft të madhe në asgjësimin e objektit si dhe precizonin. Po kështu, automatiku AK-47 është mjaft i lehtë dhe i manovrueshëm nga trupat e këmbësorisë. Karikatori i saj përmban 30 fishekë të kalibrit 7.6 mm. Peshon nga 3,3 kg pa karikator dhe bajonetë dhe 3,6 kg me ngarkesë të plotë. Gjatë Luftës së Ftohtë kallashnikovi ishte arma me të cilën u armatosën të gjitha vendet e bllokut komunist, mes tyre dhe Shqipëria. Për herë të parë kjo armë është prodhuar në Uzinën ushtarake të Gramshit në vitin 1974.
Box
Disa lloje automatikësh perëndimorë
Automatiku “L'M3”
Automatiku “L'M3”, i njohur ndryshe edhe si Grease Gun, është përdorur edhe nga ushtria amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo është krijuar në vitin 1942. Ajo zëvendësoi armën “Thompson” dhe është pothuajse e njëjtë me automatikun MP40 gjerman. Karakterizohet nga një peshë e lehtë dhe shumë e manovrueshme. Ka një karikator me 30 fishekë të kalibrit 9 dhe 11 mm.
Automatiku “Heckler”
“L'Heckler & Koch MP5” është një armë automatike e prodhuar nga biznesmenët gjermanë Heckler dhe Koch në vitet ‘60. Duke qenë një armë me precizion të lartë, u bë e përdorshme nga ushtritë dhe policitë e shumë vendeve. Arma ka peshë mjaft të vogël dhe mund të përdoret edhe në distancë të vogla. Ka një shpejtësi prej 270 m/s dhe qitje të saktë në distancën e 200 metrave. Pesha e saj është 2,540 kg bosh dhe 2,88 kg me armatim. Karikatori i tij mban nga 15 deri në 30 fishekë.
Automatiku “L'FN P90”
Automatiku “L'FN P90” është krijuar në vitin 1990, me qëllim ndërtimin e një arme për mbrojtje. Kjo armë është futur në përdorim nga ushtria belge dhe shërbimet sekrete amerikane. Gjatë këtyre viteve janë prodhuar rreth 20 mijë ekzemplarë. Qëllon rreh 900 plumba në minutë dhe ka një saktësi në qitje deri në distancën prej 200 metra. Pesha e tij varion nga 2,54 kg bosh 3.00 kg me armatim. Karikator i kësaj arme mban 50 fishekë.
Automatiku “Uzi”
Automatiku “Uzi” është projektuar nga inxhinieri izraelit Uziel Gal në gjysmën e dytë të viteve ‘40, më pas ajo u prodhua masivisht nga industria ushtarake e Izraelit. Përdoret nga policitë dhe ushtritë e shumë vendeve për vetë karakteristikat mjaft të mira që ka. Vende si Izraeli, Belgjika, Kolumbia, Kili, Filipinet, Gjermania, Indonezia, Irlanda, Portugalia, Sri Lanka, SHBA, Afrika e Jugut e kanë adoptuar këtë armë në forcat e tyre të armatosura apo në polici.
Automatiku “Beretta M12”
Automatiku “Beretta M12” është e kalibrit 9 mm është në përdorim nga ushtria dhe policia italiane, ajo u prodhua nga fabrika e Beretës në vitin 1959 dhe ka hyrë në shërbim në vitin 1961. Qëllon rreth 550 plumba në minutë dhe ka një precesion deri në 200 metra. Peshon 3.48 kilogramë pa karikator, ndërsa së bashku me fishekët pesha e saj shkon në 3.82 kg.
Llojet e pistoletave
“Beretta” italiane
Fabrika për prodhimin e “Beretës” u themelua në vitin 1526 nga mjeshtri i armëve Bartolomeo Berett, i cili ka prodhuar edhe prototipin që ruhet ende sot në arkivin e firmës. Sot, Fabrika e beretës zotërohet nga Ugo Gussalli Beretta, trashëgimtar i Bartolomeos. “Bereta është e famshme edhe për pushkët gjysmë-automatike, automatike apo ato të gjahut.
Pistoleta më e mirë e prodhuar deri tani është gjysmë-automatikja model 92 FS, e cila përdoret nga policitë e shumë vendeve. Ky model përdoret si arma zyrtare edhe nga Forcat e Armatosura Amerikane, nga xhandarmëria franceze, si dhe ushtria italiane. Në vitin 1985, Beretta u zgjodh për të prodhuar edhe M9, një model i njëjtë me modelin 92 të kalibrit 9 mm, e cila u përdor nga ushtarakët amerikanë.
“Glock”
Një markë tjetër arme që përdoret dendur nga policitë e vendeve europiane është edhe “Glock”. Ajo u dizenjua dhe u prodhua për herë të parë nga inxhinieri austriak Gaston Glock në vitin 1963. Me tej ajo u zhvillua në vitin 1998, pasi pistoleta ishte projektuar për të përdorur fishekë të kalibrit 9x19 mm. Ajo do të kishte një karikator me 15 fishekë dhe tytën e gjatë 102 mm. Kjo armë përdoret në masë nga policia norvegjeze. Së fundi, edhe Gjeorgjia ka futur në përdorim për policinë e saj modelin “Glock 19”.
“Valther” i Gjermanisë
“Valther PPK” është një pistoletë prodhimi gjerman, që u bë e famshme në filmat e James Bond, agjenti 007. Arma është prodhuar në vitin 1929 dhe në vazhdim ku fillimisht u përdor modeli Valther Pp nga Gjermania hitleriane, nga policia dhe ushtria. Pas luftës, kjo armë u mor nga francezët dhe u prodhua nga Fabrika Manurhin. Kjo lloj arme është prodhuar edhe nga Hungaria, Rumania dhe Turqia. Policitë e këtyre vendeve përdorin rëndom Valther PPK për lehtësinë që ka në manovrim për shkak të peshës mjaft të vogël.
Marka e Izraelit
“Desert Eagle” është një prodhim i industrisë ushtarake të Izraelit. Ajo është një armë gjysmë-automatike e kalibrit të madh. Kjo armë përdoret nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por IMI, Industria Ushtarake e Izraelit, merr porosi edhe nga vende të tjera të Europës për të prodhuar këtë lloj arme. Arma karakterizohet nga një precizion i lartë dhe është mjaft e lehtë. Por policitë europiane nuk e kanë preferuar këtë armë për shkak të kostos së saj të lartë dhe të prodhuarit vetëm me porosi.
“Colt” amerikan
“Colt M1911” është një armë gjysmë-automatike sulmuese e kalibrit 45ACP. Arma është projektuar nga John Brovning dhe ka qenë pistoleta e organikës në ushtrinë e amerikane nga viti 1911 deri në vitin 1985, kur u zëvendësua nga Beretta. Kjo armë është përdorur nga ushtria gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, gjatë luftës në Kore dhe Vietnam. Fabrikat kanë prodhuar në total modele M1911 dhe M1911A1 rreth 2 700 000 copë. Kjo armë u trashëguara nga Vest dhe ishte pistoleta që gjendej më rëndom në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
29 Maj 2008