Qeveria shqiptare jep 50 milion lek për mjekimin e Agron Aliajt. E shoqja: Të na i jepnin para se të vdiste
Qeveria shqiptare ka marrë vendim të mbulojë një pjesë të shpenzimeve të bëra për mjekimin e Agron Aliajt. Sipas qeverisë, 50 milion lekë të vjetra do të shkojnë për mbulimin e shpenzimeve të pjesshme për mjekimin që iu bë koreografit, që ndërroi jetë përpara pak ditësh.
Ministrisë së Shëndetësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, në zërin Mallra dhe shërbime, ti shtohet fondi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, për mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të zotit Agron Aliaj. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave origjinale të institucionit të kurimit, thuhet në vendimin e qeverisë.
Ndërkohë e shoqja e koreografit të ndjerë, Valdete Aliaj, tha se qeveria duhet ti jepte paratë para se të vdiste. Duke folur për GSH, ajo tha se ato para janë për të mbuluar shpenzimet në spitalin privat, kurse tek shtetërori ata thonë se kanë paguar vetë.