Në Elbasan mbi 2000 persona kanë aplikuar për letërnjoftimet elektronike
Mbi 2 000 banorë të bashkisë së Elbasanit kanë kryer aplikimin për letërnjoftimet elektronike, një projekt i qeverisë shqiptare që realizohet për herë të parë në Shqipëri dhe që nisi fillimisht në Tiranë në 12 janar të këtij viti. Drejtoresha e filialit të Postës, Brunilda Dulja, tha se "nga 5 shkurti, ditë kur në Elbasan nisi procesi, në 6 sportelet e vëna në dispozicion janë drejtuar mbi 2000 persona, të cilët kanë blerë mandatin e arkëtimit për aplikimin për letërnjoftimet elektronike (pasaporta dhe karta identiteti), ndërsa pritet të aplikojnë edhe 78.000 të tjerë". Qytetarët pasi pajisen me mandatin e arkëtimit për kartat e identitetit i drejtohen qendrës së gjendjes civile, ku janë instaluar aparaturat "Sagem" dhe janë në punë dhjetë kompjutera. Prioritet në këtë proces po u jepet atyre personave të cilët nuk kanë pasaportë për jashtë shtetit. Vetëm në bashkinë e Elbasanit evidentohen si të tillë rreth 18.000. Proçesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimet elektronike ka nisur fillimisht në bashkinë e Elbasanit, e cila përbëhet nga 80.000 banorë, ndërsa më pas do të shtrihet në bashkitë dhe komunat e këtij qarku, ku do të pajisen me këto dokumente rreth 180.000 banorë. Pajisja e qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet elektronike, një projekt i qeverisë shqiptare që realizohet për herë të parë në Shqipëri, nisi fillimisht në Tiranë, në 12 janar të këtij viti, dhe tashmë po shtrihet në të gjithë vendin. Ky proces, veç të tjerash, mundëson përpilimin e saktë të listave të votuesëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, gjë që konsiderohet si një garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Prioritet, sipas një udhëzimi të Ministrisë së Brendshme, do të jetë pajisja e qytetarëve pa pasaportë. Sipas statistikave zyrtare në shkallë vendi numërohen 730 mijë të tillë.
...