Ligji për lustracionin nuk bie ndesh me kushtetutën

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se "ligji për lustracionin nuk bie ndesh me Kushtetutën, ndërkohë që shqetësimi i ndërkombëtarëve për këtë ligj ka të bëjë me mënyrën e zbatimit të tij".Përballë gazetarëve në një emision televiziv, ministri Alibeaj vuri në dukje se "ndërkombëtarët kanë kërkuar që ligji të ketë një limit në implementimin e tij, të ketë një inspektim prej një organi të tretë që do të jetë sistemi gjyqësor, si dhe të sigurojë transparencë në mënyrë që zyrtari të njihet me dosjen e tij". Duke theksuar se ligji i lustracionit i siguron të gjitha këto mekanizma, ministri Alibeaj vuri në dukje se "faktori ndërkombëtar kërkon vetëm zbatimin e drejtë të këtij ligji në Shqipëri". Lidhur me shqyrtimin e tij nga Gjykata Kushtetuese, Ministri i Drejtësisë vuri në dukje se "gjyqtari i kësaj gjykate pengohet të shqyrtojë një çështje kur ka arsye serioze njëanshmërie". Në këtë rast Ministri u shpreh se "duhet të japin dorëheqjen nga çështja, të gjithë ata gjyqtarë që kanë arsye për njëanshmëri". Ligji për lustracionin, sipas z.Alibeaj, duhet të merret në shqyrtim në dy rrafshe, rrafshin politik e moral dhe rrafshin juridik. "Në rrafshin politik dhe moral nuk ka shqiptar, përveç atyre që preken nga ky ligj, të cilët do të qortonin formulimin e ligjit të lustracionit, pasi ky ligj është kodi moral i shoqërisë shqiptare dhe testi moral ku do të duhet të kalojë çdo administrator i këtij shteti", cilësoi z.Alibeaj. Nga ana juridike, ministri vuri në dukje se "kritikat janë nga më të ndryshmet", por sipas tij "dy janë pikat kryesore ku është shprehur shqetësimi, mënyra e zbatimit të ligjit dhe mekanizimat që do të përdoren në këtë rast. Neni 24 do të ishte neni që mund të binte ndesh me Kushtetutën por kjo nuk ndodh, sepse në këtë nen përcaktohen këto mekanizma: Në rastin kur pas verifikimit të dosjeve nga autoriteti rezulon se një zyrtar ka një të kaluar jo 'të pastër', ligji përcakton se zyrtari mund t'i drejtohet gjykatës për të kundërshtuar dokumentacionin e paraqitur. Në rast se ai përsëri rezulton me një të kaluar politikisht jo 'të pastër' ftohet nga autoriteti të japë dorëheqjen", tha ministri Drejtësisë. Në rast të mos paraqitjes së dorëheqjes nga zyrtarët që verifikohen me dosje, ai sqaroi se "marrëdhëniet e punës së tyre pushojnë me motivacionin 'Për padenjësi të figurës së zyrtarit'".
...