Sokol Dervishaj për Buxhetin e Tiranës: Duhet të mblidhemi dhe të diksutojmë me kulturë
Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishaj, pas situatës së krijuar në mbledhjen e fundit të tij mbi projektbuxhetin e bashkisë për vitin 2009, cilësoi në një prononcim se “këshilltarët duhet të reflektojnë për aq sa është e nevojshme dhe e domosdoshme dhe sa më parë të mblidhemi me një kulturë të ndryshme komunikimi”. Pas mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak, në 3 shkurt, kur votimi për projektbuxhetin e bashkisë së Tiranës u shpall i pavlefshëm nga z. Dervishaj për shkak të anomalive të krijuara në sallë, dokumenti më i rëndësishëm financiar i kryeqytetit pritet të kalojë sërish në këtë procedurë në javët në vijim. Por kësaj here, z. Dervishaj kërkon nga këshilltarët një kulturë ndryshe komunikimi. "Ka ndodhur një anomali e pazakontë në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, sepse nuk u respektuan procedurat dhe rregullorja e këshillit”, tha sot z. Dervishaj, duke këmbëngulur se votimi i projekbuxhetit në atë mbledhje ishte i pavlefshëm. Projektbuxheti i bashkisë së Tiranës, deri tani, i rrëzuar dy herë me shumicë votash, nga këshilltarët e PD-së dhe të LSI-së, u diskutua sërish në mbledhjen e 3 shkurtit dhe kaloi në votim. Në përfundim të këtij procesi kryebashkiaku Edi Rama, i pranishëm në sallë, numëroi vetë votat, duke deklaruar se “projektbuxheti u miratua me 29 vota, nga 53 këshilltarë që morën pjesë në votim”, ndërkohë që sërish përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së votuan kundër. Ata e konsideruan këtë projekt "jo transparent, jo të të konsoliduar, të pamotivuar, me mangësi dhe jo të denjë për kryeqytetin". Për z. Derivshaj veprimi i z. Rama ishte shkelje e rregullores së Këshillit Bashkiak dhe pas anomalisë së krijuar në sallë ai e shpalli votimin të pavlefshëm. 'Pro' miratimit të projektbuxhetit u shpreh dhe sekretari teknik i bashkisë Vladimir Gjonaj. “Buxheti u miratua, ndërsa kryetari i Këshillit Bashkiak Sokol Dervishaj dhe këshilltarët e LSI-së dhe PD-së nuk e pranuan diçka të tillë”, tha ai.Këshilli Bashkiak i Tiranës përbëhet nga 55 këshilltarë, 21 prej të cilëve i përkasin Partisë Socialiste.
...