Dëshmi për masakrën e Tivarit
(Fragment nga libri me kujtime “ëndërr e dënuar me vdekje”)
Bëja pjesë në formacionet partizane që ndoqën prapavijën gjermane, përtej kufijve, në Kosovë, deri në rrethinat e Prizrenit. Në atë kohë Prizreni njihej si kryeqendra, jo Prishtina. Autokolona gjermane e kish marrë rrugën e tërheqjes. Pas katër a pesë ditësh dhe ndonjë orë luftimesh sporadike, morëm urdhërin e kthimit. Autokolonën gjermane vazhduan ta ndiqnin brigadat maqedonase. Kur na shihnin, duke u kthyer, kosovarët na thonin: “Amani bre vëllezër ku shkoni, në dorën e shkjaut do na lini, mosni kështu bre burra, ne ju pritëm si çlirimtarë me krahë hapur”. Po kush do përgjigjej nga ne. Komanda e dinte se ç`bënte.
Brigada jonë kishte fushim ne Kukës. Na kishte hipur morri keq. Tifoja e morrit bënte kërdinë, vdiqën rreth njëqindepesëdhjetë e ca vetë. S`mund t`i pastronim me dorë. Ndiznim zjarr dhe i shkundnim teshat mbi flakë. Pëlcisnin morrat si saçma. Deri edhe vezmet e fishekëve ishin mbushur me morra. Herë pas here, njëherë apo dy herë në javë, shoqëroja të sëmurë në spitalin e Prizrenit. Ishte një mjek prizrenas, emri s`më kujtohet vetëm mbiemri Hoxha, duke ndihmuar të sëmurët ju ngjit tifoja dhe vdiq. Atje kish dhe të plagosur. Tregonin se ishin të brigadave të ndryshme, të së pestës, të së tretës, të së njëzetedytës, dhe se ishin plagosur në përpjekje me kosovarët. Kosova ishte futur midis dy zjarresh. Kishte ndodhur tradhtia, udhëheqja e dinte se ç’bënte, ndërsa shqiptarët s’po dinin kujt ja drejtonin pushkën dhe po vrisnin njëri-tjetrin. Prizreni dhe rrethinat dhe gjithë Kosova, burra e gra, pleq e fëmijë, ishin armatosur dhe kishin në shënjestër çdo yll të kuq, këmbë partizani mos mbetej. Brigadat tona më tepër se për të përzënë gjermanët, kishin shkuar për të tulatur këtë frymë lirije e nacionalizmi që kish armatosur të gjith popullin kosovar. Komanda jonë perdori një dredhi, që i futi kosovarët në kurth. Urdhëroi ngritjen e flamurit shqiptar para çdo formacioni luftarak, dhe kosovarët sa shihnin flamurin shqiptar ulnin armët, na përqafonin, na konsideronin çlirimtarë. Më pas, duke shfrytëzuar vendosmërinë e kosovarëve për tu çliruar njëherë e mirë, filluan ti organizonin nëpër brigada. Më të vendosurit që shquheshin për trimëri e nacionalizëm, djem të rinj, nga njëzetepesë, tridhjet vjeç i mernin natën nëpër shtëpi. U formuan disa brigada me komandantë oficera akademista dhe me komandant të përgjifhshëm Fadil Hoxha. U formuan disa brigada shqiptaresh kosovarë, kryesisht me ata që dorëzoheshin dhe të tjerë që u mobilizuan, rreth shtatëmijëepesëqid a tetëmijë fryme. I çuan në Prizren. Atje u mashtruan, ju thanë se do pajisen me armatime të reja dhe i dorëzuan armët. Kur e kuptuan ishte tepër vonë. I nisën për në Tivar. Dy javë rrugë pa rrugë maleve, natën ditën. Kam pasur në burg malësorë nga Puka, që tregonin se dilnin t`i shihnin. Të raskapitur, të zbathur, të zhveshur, të uritur, të leqendisur. “Amani, bre vllazën, na jepni një cop bukë, se po vdesim urije” thonin. Ndonjë që s`rezistonte ose kundërshtonte e linin aty. Në rrethinat e Shkodrës, Komiteti i Partisë së Shkodrës ishte në dijeni për këtë punë, organizoi disa të rinj komunista, që ju dolën përpara dhe i provokonin, i shanin tradhtarë etj, etj. Disa tentuan u larguan dhe shpëtuan, disa i vranë vetë këta të brigadës së pestë të Shefqet Peçit. Kështu mbërritën në Tivar.
Në dhjetor të dyzetekatrës, Shtabi i Përgjithshëm vendosi që komandantët e batalioneve dhe të kompanive të vinin në Tiranë në shkollën e perfeksionimit të oficerëve, për t’u njohur me rregulloren ushtarake, për tre muaj e gjysëm. Ishim shumë të rinj dhe atje degjuam për herë të parë për celulat komuniste. E dinim se të gjithë partizanët ishin komunista. Dhe një përqindje e vogël, ku bëja pjesë, nuk ishin komunista. Atje u njoha me disa shokë dhe filluam të flisnim, këmbenim ndonje mendim. por me shumë kujdes. Një nga shokët më të besuar kisha Qazim Laçin, i cili kohë më vonë vuri bombë te ambasada sovjetike. Në prill, data s’më kujtohet mirë dy, tre a katër, isha te fusha e Shallvareve, që në atë kohë fushë futbolli, ishte me baraka për të burgosurit. Nga hotel Dajti, përballë doli miku im Qazim Laçi dhe më thërriti. “Hajde, hajde, Aqif” - më tha – “ke filluar të lozësh futboll”. “Po ç`të bëjmë’’- i thashë – “Andej ku rri ti ne s`hyjmë dot”. “E ke marrë vesh se ç`ka ndodhur? Serbët kanë vrarë shtatëmijë e dyqind kosovarë ne Tivar. Mbrëmë ka ardhur një kushëriri im nga Tivari dhe më ka treguar. Këtu brenda tani janë shtruar dhe po festojmë, po pinte atasheu ushtarak Jugosllav dhe Haxhi Lleshi’’. Në atë kohë Haxhi Lleshi ishte ministër i brendshëm. “Mua më duhet tani një granadë” vazhdoi Qazimi. “çdo bësh o budalla?’’ i thashë “Po ne i dorëzuam të gjithë armët, vetëm pistoletë kemi. “Me pistoletë s`bëhet gjë” tha Qazimi.
është folur shumë për masakrën e Tivarit. Ka mendime të ndryshme. Di a s`di gjë, a ka gisht Ramiz Alia dhe e tërë udhëheqja e asaj kohe!?
Unë e mbaj mend, kur u kthye Enver Hozha nga vizita e parë që bëri në Serbi më dyzetetetën. Ishte dekoruar me një medalje me motivacionin “Hero i Popullit Jugosllav”. Fill dy orë pasi kishte mberritur, në nje oborr plot me ushtarakë të lartë, Njazi çepani na recitoi fjalën e Enverit që kish mbajtur me atë rast. Përveç të tjerave ku deklarohej dashuria e pafund”… e se Jugosllavia dhe Titoja është si ajri dhe si drita’’, u tha “reaksioni shqiptar dhe reaksioni kosovar duhen eliminuar, duhen zhdukur” dhe fjala mbaronte tekstualisht me “Ai shqiptar që nuk do Jugosllavinë dhe Marshallin Tito, nuk është shqiptar, por tradhëtar”.
Si mund të përkufizohet kështu, dhe t’i thuren lavde armikut që historikisht na ka vrarë, përndjekur!?