ISSH publikon detajet për të gjithë ata që dëshirojnë të aplikojnë për të marrë një pension të pjesshëm pleqërie
PENSIONI I PJESSHëM I PLEQëRISë
1. Baza ligjore:
a) Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; b) Udhëzimi nr. 2, i ISSH-së, datë 05.10.2005 “Për llogaritjen dhe indeksimin e bazës së vlerësuar dhe pagës neto për efekt pensioni”; c) Rregullore nr. 1, e ISSH-së, datë 19.10.2009 “Mbi administrimin dhe llogaritjen e pensioneve”.
2. Kushtet e përfitimit:
Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të pjesshëm të pleqërisë kur: a) Plotësojnë moshën 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë; b) Të kenë jo më pak se 15 vjet periudha sigurimi dhe jo më shumë se 35 vjet periudha sigurimi; c) Të jenë tërhequr nga veprimtaria ekonomike; d) Për periudhën e tranzicionit, për moshën e daljes në pension zbatohet neni 92, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë“, i ndryshuar.
3. Dokumentacioni:
Për të përfituar pension të pjesshëm të pleqërisë përfituesi, ose i autorizuari me prokurë, paraqitet në ALSSH të vendbanimit, sipas rregjistrimit në gjendjen civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të pjesshëm të pleqërisë.
Përfituesi për pension të pjesshëm të pleqërisë, ose i autorizuari me prokurë, së bashku me kërkesën duhet të paraqesë dhe dokumentat si më poshtë: a) Dokumentat që vërtetojnë moshën dhe identitetin: - Fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose çertifikatë lindjeje me fotografi; - çertifikatë e gjendjes familjare; - çertifikatë martese (vetëm për aplikueset femra); - Dy copë fotografi. b) Dokumentat që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë: - Libreza e punës; - Vertetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj; - Vërtetim për periudhën e sigurimit, e lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM; - Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (në se shikohet e arsyeshme); -Vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992; - Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj); - Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët; - Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna). c) Për personat që përfitojnë nga Ligji nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe reabilitimin e ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë” duhen edhe: - Vërtetim i gjendjes gjyqësore; - Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik; - Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë; - çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qënien në punë. d) Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara: - Vertetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994); - çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.
4. Masa e pensionit të pjesshëm të pleqërisë:
Masa e pensionit të pjesshëm të pleqërisë caktohet si pjesë e pensionit të plotë të pleqërisë dhe llogaritet duke shumëzuar shumën e pensionit të plotë të pleqërisë, të llogaritur me kohën e periudhës së sigurimit, duke e vënë në raport me periudhën e sigurimit për 35 vjet.
Shembull: Në qoftë se përfituesi ka një periudhë sigurimi prej 18 vjetësh dhe masa e pensionit të plotë të pleqërisë është caktuar 12.000 lekë, masa e pensionit të përfituar do të jetë 12.000 *18 (muaj) / 35.
...